Një episod i dokumentarit të njohur të BBC One, “Fake or Fortune?”, ka konfirmuar se një pikturë që prej vitesh nuk kishte autor të identifikuar është vepër e artistes skoceze të shekullit XVIII, Katherine Read, duke rikthyer në vëmendje një emër të rëndësishëm, por të harruar të historisë së artit.
Piktura i përket Mary-Louise Wedderburn, një kontabiliste në pension, e cila e trashëgoi veprën nga xhaxhai i saj rreth 20 vjet më parë. Ajo e paraqiti portretin, të vendosur në një kornizë të artë, në emision me dyshimin se mund të ishte krijuar nga Katherine Read, e cila rezulton të ketë qenë një e afërme e largët e familjes së saj.
Vepra paraqet portretin e një gruaje të re indiane, e stolisur me disa vargje perlash dhe një varëse të madhe smeraldi. Pas analizave dhe hulumtimeve të ekspertëve, u konfirmua se autorja e saj është Katherine Read. Sipas vlerësimeve, piktura mund të arrijë një vlerë prej rreth 130 mijë dollarësh, përcjell KultPlus.
E lindur në Dundee të Skocisë në vitin 1723, Katherine Read ishte një nga portretistet më të njohura të kohës së saj, e specializuar në piktura me vaj dhe pastel, kryesisht të grave dhe fëmijëve. Në mesin e viteve 1770 ajo udhëtoi drejt Indisë, ku realizoi një sërë veprash, por ndërroi jetë gjatë kthimit për në Angli.
E lindur në Dundee të Skocisë në vitin 1723, Katherine Read ishte një nga portretistet më të njohura të kohës së saj, e specializuar në piktura me vaj dhe pastel, kryesisht të grave dhe fëmijëve. Në mesin e viteve 1770 ajo udhëtoi drejt Indisë, ku realizoi një sërë veprash, por ndërroi jetë gjatë kthimit për në Angli.
Gjatë episodit, drejtuesit e emisionit, gazetarja Fiona Bruce dhe historiani i artit Philip Mould, bashkëpunuan me studiues nga Dundee dhe Chennai të Indisë për të përcaktuar autorësinë e veprës dhe identitetin e gruas së portretizuar.
Eksperti i artit indian Charles Greig deklaroi se ishte “plotësisht i sigurt” se piktura ishte realizuar nga Katherine Read. Ndërkohë, studiuesit besojnë se gruaja e paraqitur në portret ka qenë bashkëshortja e një nawabi, një princi indian.
Zbulimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në rivlerësimin e trashëgimisë artistike të Katherine Read, duke rikthyer në vëmendje kontributin e një artisteje që dikur ishte ndër portretistet më të vlerësuara të Britanisë./KultPlus.com