Një fundjavë me medalje për Kosovën në Xhudo

Prishtinë | 25 Pri 2026 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i xhudos Driton Kuka ka vlerësuar paraqitjen e sportistëve nga Kosova në turneun ndërkombëtar të mbajtur në St. Gallen të Zvicrës, duke e cilësuar fundjavën si të suksesshme për ekipin kosovar.

Në këtë garë, ku morën pjesë sportistë nga më shumë se 10 shtete, xhudistët nga Kosova treguan formë të mirë dhe siguruan rezultate inkurajuese për vazhdimin e sezonit.

Në këtë kampionat, spikati Blin Kuka në kategorinë deri në 90 kilogramë për grupmoshën U21, i cili arriti të fitojë medaljen e artë, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, paraqitje të mirë pati edhe Jon Kuka në kategorinë deri në 60 kilogramë për U18, ndërsa Riduan Kabashi në kategorinë deri në 73 kilogramë për U18 e mbylli garën në vendin e shtatë.

Sipas trajnerit Driton Kuka, kjo garë shërben si një test i rëndësishëm për sportistët para sfidave zyrtare që i presin gjatë këtij viti.

Në këtë sukses, kontribut të rëndësishëm vazhdon të japë edhe Majlinda Kelmendi, e cila, sipas trajnerit, vazhdon të jetë në krye të detyrës dhe pjesë kyçe e stafit të ekipit.

Të ngjashme