Një person i dyshuar ka sulmuar një zyrtar policor në Kamenicë, teksa po dërgohej për trajtim në Klinikën Psikiatrike në Gjilan.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 4 korrik, rreth orës 15:00, në Stacionin Policor në Kamenicë. I dyshuari, i cili ndodhej në qendrën e paraburgimit, kishte marrë ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar psikike dhe ishte pajisur me raport mjekësor për transferim në Klinikën Psikiatrike në Gjilan.
Policia njofton se gjatë nxjerrjes nga qendra e paraburgimit dhe vendosjes së prangave, i dyshuari ka rezistuar dhe ka sulmuar një zyrtar policor.
Policit të lënduar i është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti.
“Stacioni policor Kamenicë / 04.07.2026 – 15:00. Personit të dyshuar m/k derisa ka qenë në qendrën e paraburgimit i është dhënë ndihma mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar psiqike dhe i është lëshuar raporti mjekësor për ta dërguar në Klinikën Psikiatrike në Gjilan. Gjatë nxjerrjes nga qendra e paraburgimit dhe vendosjes së prangave i dyshuari ka rezistuar dhe ka sulmuar zyrtarin policor te cilit i është ofruar ndihma mjekësore. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti”.