Njohësi i integrimeve evropiane: Qasja e Gjermanisë për liberalizimin, sinjal për marrëveshje të shpejtë, Kosovë – Serbi

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Liberalizimi i vizave vazhdon të jetë temë diskutimi në opinionin kosovar dhe atë ndërkombëtar.

Megjithatë, duket të ketë lëvizje konkrete në atë drejtim. Kjo pasi, siç po shihet, vendet perëndimore në përgjithësi, e Gjermania në veçanti, e shohin çështjen e vizave si katalizator për një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës e Serbisë, përcjell GazetaBlic.

Kështu mendon edhe opinionisti e njohësi i integrimeve, Dorajet Imeri, i cili tha se qasja e re e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor e Kosovës veçmas, pritet të jetë parakusht për një marrëveshje të shpejtë në dialogun Kosovë – Serbi.

Tutje Imeri, beson se kjo qasje është edhe arsye se pse Qeveria e Kosovës e ka larguar nga axhenda aplikimin e masave të reciprocitetit.

“Deklarata e ministrit gjerman, në lidhje me kushtet e plotësuara për liberalizim e vizave për Kosovën dhe mbajtjen e premtimit për qytetarët e saj, e shoh si një qasje të re që Gjermania do të ndërmarrë këtë verë, jo vetëm me Kosovën, por edhe me Ballkanin, por që më gjasë fillon me Kosovën.

Ditë më parë kemi pasur një takim virtual në mes Kryeministrit Kurti dhe Kancelares Merkel, takim të cilin e konsideroj që do jep efekte në disa drejtime, e para në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, si një sinjal të konstruktivitetit evropian ndaj Kosovës dhe e dyta si nje parakusht i mirë që shpejtë të mund të arrihet një marreveshje me Serbinë, pra marrëveshje e pranuar për palët. Në këto rrethana, Qeveria e Kosovës e ka larguar nga agjenda aplikimin e masave të reciprocitetit”, përfundoi Imeri.

Të ngjashme