Nuredini: Nuk pres që qytetarët t’i kthehen ngrohjes me dru

Prishtinë | 29 Maj 2022 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Rritja e çmimit të rrymës nuk do të ndikojë që amvisëritë t’i kthehen ngrohjes me dru dhe me këtë, të rritet ndotja e ajrit këtë dimër. Kështu vlerëson ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini. Në intervistën për REL, ai tha se propozimi për rritjen e çmimit të rrymës nuk është final dhe shtetit jep subvencione për inverterë dhe mënyra tjera të ngrohjes, të cilat nuk e ndotin ajrin.

“Gjithsesi, në vend veç më kemi subvencione të shumta: për inverterë, për përdorim të peletave apo mënyrave të tjera, si pompa për ngrohje. Dëshirojmë që qytetarët t’i shfrytëzojnë subvencionet. Shteti jep subvencione prej 20 përqind, gjithashtu ka edhe mekanizma të tjerë për shfrytëzim të kredive apo huave bankare. Gjithashtu ka 15 apo 20 përqind subvencione për efikasitet energjetik. Dëshirojmë t’i nxisim qytetarët ta zëvendësojmë përdorimin e ngrohjes së shtëpive me dru apo materiale të tjera që ndotin. Në të vërtetë, mendoj se këtë viti nuk do të rritet ndotja”, tha ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini.

I pyetur se si do të reflektohet në Agjendën e Gjelbër kriza energjetike dhe importi i qymyrit dhe mazutit për prodhim vendor të rrymës, ministri tha se, tani kemi krizë energjetike, e cila nuk është vetëm në vend dhe se çmimet nuk rriten vetëm në vendin tonë, por në gjithë Evropën.

“Njëkohësisht, si vend, planifikojmë dhe punojmë, ndërsa disa projekte veç më kanë filluar, në investimin në energjinë e ripërtërishme, ndërsa ajo do të thotë, solare, me erë e kështu me radhë. Tani, gjithashtu, jemi në fazën finale me procedurën e tenderit për Çebren, që do të jetë themel i strategjisë sonë në të ardhmen”, tha ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini.

Ditëve të fundit është paralajmëruar rritje e re e çmimit të energjisë elektrike dhe se nga 1 korriku çmimi ka mundësi të jetë 10 përqind më i lartë. Si arsye për këtë, kryetari i Komisionit Rregullator e ka theksuar keqpërdorimet nga ana e komunave. Sipas tij, komunat për t’i ulur harxhimet për ndriçimin rrugorë, kanë formuar ndërmarrje publike, përmes të cilave e kanë paguar çmimin e rrymës si amvisëri. Me këtë, për katër muaj kanë bërë harxhim prej mbi 30 milionë euro./KlanMacedonia

Të ngjashme