Komuna e Obiliqit sot ka nderuar 14 dëshmorët e saj të rënë gjatë luftës. Në akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se pa veprën e dëshmorëve liria do të mbetej vetëm një ëndërr.
“Një popull që ka dëshmorë nuk njeh robëri. Ju dhatë më të dashurit tuaj për liri dhe sot të gjithë ndjehemi krenar me veprën e tyre dhe pa veprën e tyre liria për ne do të mbetet vetëm një ëndërr. 5 maji është dhe do të jetë datë ku të gjithë ne do të përkulemi para idealit të gjithë dëshmorëve tanë.
Ai tha se si shoqëri duhet të bëjnë akoma shumë që këtë vend të larë me gjak ta shndërrojnë në një vend me të ardhme të ndritur.
Esat Curri, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta, dega Obiliq, tha se sot Kosova është vepër e Ushtrisë Çlirimtare dhe se të gjithë dëshmorët meritojnë nderime nga mbarë populli shqiptar.
”Kjo ushtri me organizimin dhe patriotizmin e saj ia kthej Kosovës krenarinë dhe identitetin. Populli i Kosovës i cili në një kohë kur gjithë Evropa ecte drejt mirëqenies ky popull ende aspironte për liri. Askush nuk u kujtua për një Kosovë që ishte në Evropë. Ishte UÇK që ktheu sytë e gjithë botës nga Kosova”, ka thënë ai.
Ai shtoi se pa përpjekjet e kësaj ushtrie nuk do të kishte as ndërhyrje të NATO-s, as mbështetje ndërkombëtare.
Kjo komunë ka përkujtuar edhe 13 personat që vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe 65 martirët e saj.