O’Connell: Specialja s’e ndryshon historinë dhe imazhin e luftës në Kosovë

Prishtinë | 26 Mar 2018 | 12:57 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) ka publikuar raportin e monitorimit të gjykimeve të krimeve të luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë gjatë vitit 2017.

Në publikimin e këtij raporti ishin pjesëmarrësh përfaqësues të institucioneve të rendit dhe të sundimit të ligjit.

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’ Connell, ndër të tjera foli edhe për Dhomat e Specializuara.

O’Connell tha se fuqizimi i këtyre dhomave nuk duhet të jetë arsyetim për institucionet që të mos merren me çështjet e krimeve të luftës.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë se familjarët e të vrarëve kërkojnë drejtësi, se familjarët e të zhdukurve kërkojnë për fatin e familjarëve të tyre”.

“Ne intervenuam si pjesë e NATO’s për të mbrojtur qytetarët e këtij vendi. Kosova miratoi Ligjin për Dhomat e Specialuzuara, ky veprim tregoi përkushtim. Kjo gjykatë nuk e ndryshon historinë dhe imazhin e luftës në Kosovë”.

“E di që është e vështirë por është e rëndësishme për dy arsye. Së pari secila viktimë meriton drejtësinë, e dyta të gjithë duan sundimin e ligjit por edhe sundimi i ligjit është për të gjithë”.

Ambasadori britanik renditi edhe disa nga sfidat e tjera me të cilat institucionet e drejtësisë përballen.

Numri i vogël i prokurorëve që merren me këto raste, mungesa e gjyqtarëve, stafit përgjegjës si dhe mungesa e trajnimeve të specializuara janë disa nga problemet që adresoi ambasadori O’Connell.

“Këto lëndë kanë rëndësi të veçantë, unë pres që Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial të ketë vizion afatgjatë për këtë çështje. Gjykata Speciale nuk guxon të përdoret si arsye as në Kosovë as në Serbi për mos hetimin e rasteve.”

O’Conell propozoi që Kosova te marrë shembuj nga vendet e tjera në atë se si do të duhet të trajtohen këto çështje.

Ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se të gjeturat e raportit të Fondit për të Drejtën humanitare nuk janë rezultate të punës së tij.

Tahiri u zotua se do të punojnë që këto çështje të adresohen dhe që fajtorët të mos mbesin pa u ndëshkuar.

“Sot shteti ynë është duke u forcuar, është duke e zhvilluar një perspektivë të qartë evropiane. Megjithanë ne ende jemi të vetëdijshem se ka ende ngjarje që duhet të adresohen. Kalimi nga një regjim jo demokratik në regjim demokratik është ballafaquar me një kosto mjaft të lartë”.

“Raporti të cili FDH po e prezanton është raport që shqyrton raste specifike për krime lufte. Si i tillë dhe të gjeturat e tij nuk bijnë në mandatin tim. Ndryshimet ligjore që kemi prezantuar pikërisht për prokurorrin e shtetit do të mundësojnë rritjen e prokurorëve në Prokurorinë Speciale në mënyrë që të merren me raste të tilla.”

Anka Kurteshi- Hajdari, koordinatore e projekti tha se marrja përsipër nga vendorët për trajtimin e rasteve të tilla do të jetë sfidë për prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës.

“Nga mesi i këtij viti sipas të gjitha gjasave gjyqësori vendor për të parën herë në historinë moderne të Kosovës do t’i marrë përsipër kompetencat e plota për përndjekjen e krimeve të luftës dhe krimet e tjera të rënda”.

“Edhe pse ka besim të madh në profesionalizmnin e prokurorëve dhe gjykatësve kosovarë, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsideron se do të jetë shumë sfidues për prokurorët dhe gjykatësit vendorë që përnjëherë nga pozita e bashkëudhëtarit të kalojë në pozitën e drejtuesit të makinës”.

Të ngjashme