OKB-së krijon komitet kushtetues për Sirinë

Prishtinë | 24 Sht 2019 | 09:43 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, njoftoi për formimin e një komiteti kushtetues për Sirinë, i cili do të përfshijë përfaqësues të qeverisë dhe opozitës.

Komiteti do të “ndërmjetësohet nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë”, u tha Guterres gazetarëve, duke shtuar se ai do të mblidhet në javët e ardhshme.

Ai tha se beson fuqishëm se ky komitet, i organizuar dhe udhëhequr nga Siria, mund të jetë fillimi i zgjidhjes së konfliktit mbi tetëvjeçar në Siri.

Bëhet e ditur se komiteti do të përfshijë 150 anëtarë: një e treta do të zgjidhet nga regjimi sirian, një e treta nga opozita dhe pjesa tjetër nga Kombet e Bashkuara.

Procesi për një kushtetutë të re të Sirisë dhe për formimin e komitetit ka nisur në një konferencë në Rusi në janar të vitit 2018.

Pajtimi për listën e anëtarëve ka marrë gati 20 muaj kohë.

Mbi 400,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur që nga fillimi i luftës civile në Siri, në mars të vitit 2011.

Lufta ka shpërthyer pas protestave kundër sundimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Rusia dhe Irani i kanë ofruar mbështetje të madhe Assadit gjatë gjithë luftës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur grupe të ndryshme rebele.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme