Operacioni ‘Stuhia’: Kërkohet paraburgim për katër të dyshuar

Prishtinë | 26 Mar 2021 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj katër personave A.L, M.K, E.I, H.Z për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.L. H.Z. dhe M.K., nga data 17 tetor 2020 e deri më 25.03.2021, në Ferizaj dhe në disa qytete të Kosovës, në bashkëveprim kanë importuar armë-pistoleta, pushkë automatike, armë ushtarake zollë, pushkë gjuetie si dhe municion dhe paisje tjera për armë nga Republika e Maqedonisë, të cilat i kanë shitur nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

Ndërsa, për të pandehurit A.L., H.Z., M.K dhe E.I., ekziston dyshimi i bazuar se kanë poseduar pa autorizim armë në kundërshtim me ligjin mbi armët, me ç’rast kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga nen 366 paragrafi 2 të KPRK-së.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme