Beteja për shëndetin e njeriut BASHKË me betejën për mbrojtjen e ekonomisë

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Shkruan: Gazmend Abrashi – Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Në këtë situatë emergjente të shkaktuar nga Pandemia duhet reaguar me urgjencë edhe në ekonominë e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve të saj. Duke marrë shembull reagimet e shteteve Evropiane dhe të rajonit propozoj:

  • Shpërndarjen për secilin qytetar të Kosovës, mbështetje të menjëhershme në vlerë 100 euro. Mbështetje e cila do të shpërndahej përmes komunave dhe evidencave nga ekstrakti familjar për disa familje, në cdo cep të Kosovës.
    Kjo mbështetje do të ndikojë në mirëqenien e familjeve në këto ditë të izolimit, do të ndikojë në ngritjen e ndjenjës së sigurisë, duke pas parasysh se tashmë po hyjmë në javë e tretë të luftës së pandemisë dhe se ndjenja e pasigurisë ekonomike po ndjehet tek secili qytetar i vendit.
    170 Milion Euro sa kishte me qenë kjo mbështetje mund të sigurohen nga rezervat e shtetit, nga BERZH, Banka Botërore ose mjetet e Trustit Pensional të Kosovës. Përzgjedhja e burimit të bëhet nga mundësia më e shpejtë e mundshme e qasjes në fonde dhe shpërndarjes së tyre emergjente.
  • Për qytetarët e punësuar në sektorin privat, e të cilët për shkak të masave u është pamundësuar aktiviteti ekonomik, tu paguhen pagat per muajin Prill, në vlerë të 50% të pagës mesatare në Kosovë.
  • Bizneseve që janë atakuar me këto masa, tu paguhet qiraja për tre muajt e ardhshëm, e gjithë me qëllim që të ruajmë vendet e punës dhe vazhdimësinë e bizneseve pas kalimit të pandemisë.
  • Qeveria të siguroj buxhetin për kompenzim të veçantë të punëtorëve shëndetësorë, Policisë së Kosovës, Zjarrfikësve, punëtorëve të shërbimeve komunale vitale.
    Të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat të shitjes me pakicë të produkteve ushqimore, furrëtarët dhe punëtorët e farmacive me nga një pagë ekstra në vlerë të pagës mesatare të Kosovës. Keta qytetarë i kemi në vijën e parë të frontit dhe nevojitet përkrahja direkte materiale e shtetit për ta.
  • Reagimi i shpejtë me financa direkte është me së i domosdoshëm nëse duam të përçojmë mesazh të qartë të sigurisë ekonomike për secilin qytetar të vendit, si dhe të motivojmë dhe respektojmë ata qe sot i kemi në ballë në luftë me pandeminë. Çdo intervenim i mëvonshëm edhe me mjete më të mëdha, nuk do të ketë efektin e vet nëse nuk reagojmë sot, se nesër mund të jetë vonë.

Gjithashtu ftojmë Qeverinë e Kosovës që të ndryshojmë vendimin për ndalim qarkullimin në fuqi. Po del që ky orar i aplikuar po sjellë koncentrim të lëvizjes së qytetarëve që nuk duhet të ndodhte.
Propozoj që kufizimi i qarkullimit të jetë nga ora 06:00 deri më 18:00.


#KujdesPoPanikJo


Të ngjashme