“Bullshit” Albin Kurti

Prishtinë | 24 Pri 2020 | 16:30 | Nga Ardian Kastrati

Edhe pse jetojmë në një kontekst tjetër kohor dhe gjeopolitik, ashtu siç bënte KGB-ja në të kaluarën, ashtu edhe Albin Kurti po prodhon “bullshit” për SHBA-në. Përsëritja e GËNJESHTRAVE TË MËDHA për SHBA-në në stilin e KGB-së, mund të sjell deri te ndërrimi i përcepcionit nga një pjesë e caktuar e qytetarëve për realitetin dhe për fuqinë providenciale të SHBA-së për Kosovën. Ky është rreziku që i kanoset Kosovës me Kurtin si kryeministër dhe kjo është çfarë dëshiron Kremlini. Kurti ka shkuar aq larg me amerikanët sa që s’i ka mbetur tjetër përveç se të fillojë të shkruajë librin e tij të parë që do të mund ta titullonte “ Rreziku amerikan për Kosovën”, ashtu siç dikur shkroi Enver Hoxha librin e tij “ Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Vendin se ku do ta shkruajë i mbetët që ta zgjedhë vetë ai. Për dallim prej Enverit, ai këtë mund ta bëjë edhe në ndonjë vend tjetër, për shembull nga Norvegjia.

Gjatë Luftës së Ftohtë, KGB-ja sistematikisht zhvillonte projekte të ndryshme të falsifikimeve e të dezinformatave me qëllim të destabilizimt të demokracive perëndimore, me fokus të veçantë SHBA-në. Aktiviteti për organizimin e dezinformatave në KGB organizohej mbi bazën e shtatë rregullave kryesore. Rregulla e parë udhëzonte targetimin e shoqërive në perëndim, ku kishte ndarje të çfarëdo lloj natyre, si: politike, ekonomike, kulturore, linguistike apo edhe gjeografike. Rregulla e dytë, udhëzonte lansimin e një gënjeshtre tepër të madhe sa askush të mos e besonte që dikush mund të trillojë diçka të tillë. Sipas rregullës së tretë, duhej të futeshin pak fakte të që gënjeshtra të besohej edhe më lehtë. Kurse sipas rregullës së katërt, gënjeshtra duhej të lansohej në ndonjë gazetë jo relevante dhe në ndonjë shtet fragjil, ku askush nuk do të pyeste për origjinën e saj. Rregulla  e pestë kërkonte “idiotin”, pra ai i cili me “kompetencën” e vet e konfirmonte gënjeshtrën si të vërtetë. Ndërkaq, rregulla e gjashtë kërkonte MOHIM, MOHIM, MOHIM në rast se zbuloheshin  autorët e gënjeshtrës. Krejt në fund, rregulla e shtatë kërkonte që gënjeshtra të përseritej në fazatë gjata e me vite të tëra, për të arritur objektivin e synuar e që ishte polarizimi i shoqërive perëndimore (kryesisht asaj amerikane) dhe zbehja e imazhit të SHBA-së nëpër botë.

Gjithë ky aktivitet organizohej në kuadër të “активные мероприятия”, që në shqip i d.m.th. “ Masave aktive të KGB-së”, kurse në anglisht nuk ka përkthim më adekuat se sa “bullshit”. Pra, KGB-ja kishte për qëllim të prodhonte sa më shumë gënjeshtra e dezinformata apo ta themi në anglisht sa më shumë “bullshit”, lidhur me SHBA-në.

Për shembull KGB-ja në atë kohë lansoi dezinformatat se SHBA-ja ka prodhuar virusin HIV për t’i goditur sa më shumë njerëzit nga komuniteti afrikano-amerikan dhe nga komuniteti homoseksual, se CIA e ka vrarë J.F. Kennedy, se SHBA-ja planifikonte vrasjen e Papa Gjon Palit të Dytë, etj. Imagjinoni se si janë ndjerë dhe çfarë sentimenti negativ kanë zhvilluar këto “fake news” te qytetarët e zakonshëm amerikanë, në raport me qeverinë e tyre.

Çuditërisht, mënyra se si Albi Kurti me makinerinë e VV-së komunikon me publikun, i ngjan në masë të madhe shtatë rregullave të KGB-së. Le të shkojmë me radhë.

Kurti në të kaluarën dhe aktualisht ka shfrytëzuar dhe shfrytëzon ambientin shoqëror të Kosovës vetëm aty ku ka pasur dhe ka situatë me ndarje pak më të theksuara, si ndërmjet idealistëve pro bashkimit me Shqipërinë dhe të tjerëve pro kosovarocentrizmit, ndarje si ato qytet-fshat, të varfër të pasur, fetar e të pa fe , etj. duke prodhuar kauza fiktive në kohë të ndryshme dhe varësisht nga interesimi i këtyre njerëzve, në mënyrë që këta t’i besojnë dhe ta votojnë.

Kjo pra, ishte rregulla e parë e KGB-së, të synohet një terren dhe strukturë ku ka sadopak ndarje e të çfarëdo natyre në mënyrë që, kur të lansohet gënjeshtra e madhe, t’i thellojë ndarjet ekzistuese. Në rastin e KGB-së, këto situata u shfrytëzuan për ta destabilizuar shoqërinë amerikane, kurse në rastin e Kurtit, për t’i thelluar ndarjet përmes goditjeve verbale në mënyrë që ta rrisë votën për VV-në.

Të kujtojmë GËNJESHTRËN E MADHE se vetëm Kurti e VV-ja mund të bëjnë BASHKIMIN KOMBËTAR, duke i manipuluar idealistët e BASHKIMIT KOMBËTAR e duke ua ngulitur në kokë se janë partite tjera ATO që nuk po e duan bashkimin kombëtar, e gjithë kjo me qëllim të thellimit të ndarjes midis tyre dhe përfitimit të votave për pushtet. Duke propaganduar aq shumë për bashkimin kombëtar ( sentiment ky pothuajse i ndezur në çdo familje të Kosovës), Kurti e ngriti popullaritetin e tij ndër vite, sepse njerëzit e rëndomtë s’mund të besonin që dikush mund të gënjejë për një çështje kaq të madhe.

Gënjeshtra e madhe e radhës, ishte Plani i Ahtisarit, që dëmton rëndë Kosovën. E dhunoi publikun me muaj me protesta e grafite dhe në fund, në vitin 2007, arriti në finale, aty ku ky arrin maksimumin prej deliranti, pra aty kur sheh gjakderdhje. I ftoi njerëzit në protesta, pastaj i ftoi protestuesit të shpërthejnë koordonin e policisë dhe fatkeqësisht u vranë dy djemë të ri në mënyrë që Albini sot ta gëzojë pushtetin, që ia ka ofruar pikërisht Plani i Ahtisarit. Gënjeu se Prishtina do ta ketë qeverisjen më të mirë të pas luftës dhe më pas filloi degradimi edhe me frontal i Prishtinës.

Të gjitha këto GËNJESHTRA TË MËDHA prandaj, na kujtojnë  rregullën e dytë të KGB-së, e cila thoshte: lanso një gënjeshtër aq të madhe sa askush s’mund të besojë që dikush mund të gënjejë kaq shumë).

Ndërkohë, kur sentimenti për bashkimin kombëtar filloi të mos jepte rezultat (sepse njerëzve kurrë nuk iu shpjegua se si do bëhet ky bashkim kombëtar), dhe kur Ahtisari u bë realitet, pra Kosova u bë shtet, atëherë Kurti i hyri kartës sociale duke keqpërdorur deprimimin e mijëra familjeve në Kosovë për shkak të ekonomive të tyre të dobëta, përmes premtimit për zhvillim ekonomik të pa parë më herët. Megjithatë, për t’u dukur tregimi më bindës (që nuk e ka vetëm për pushtet, por për barazi në shoqëri), Kurti futi edhe disa të vërteta lidhur me korrupcionin dhe aferat e ish- pushtetarëve në Kosovë (rregulla e tretë e KGB-së thoshte futni sadopak të vërteta që tregimi i madh të jetë sa më bindës për publikun). Edhe kjo ishte gënjeshtra e madhe e radhës, sepse vetëm në 52 ditë qeverisje, përmes shkarkimeve e emërimeve të militantëve jo profesionistë, ndërroi vetëm njerëzit, por jo metodën e pushteteve të kaluara. Pra, gënjeshtra e madhe për zhvillim ekonomik e vende pune, kishte qëllim më shumë vota për pushtet.

Ndërkohë, gjatë viteve të fundit, Kurti e VV-ja, krijuan një makineri të tërë me shumë IT, me dhjetëra brigada që janë 24 orë në detyrë për t’i rritur algoritmat mbrapa rrjeteve sociale në funksion të përkrahjes së propagandes së liderit të tyre suprem përmes “like”-ve, që nga Kina deri në Egjipt. Të gjithë këta shokë punëtorë ishin dhe janë në funksion të përkrahjes së retorikës së Kurtit dhe GËNJESHTRAVE TË TIJ TË MËDHA. Rrugës, Kurti rekrutoi disa oborrtarë nga Kosova dhe Shqipëria që e përkrahin mediatikisht në realizimin e strategjive të mësipërme të komunikimit me publikun. Disa këtë e bëjnë nga idiotesia e disa të tjerë nga interesi. Më një të tillë të krisur (që dukej se kishte krizë nervore apo diçka si tronditje psiçike), para disa ditësh me rastisi edhe mua që të takohem në një studio televizive. Pikërisht këta idiotë konfirmojnë çdo ditë në publik “rrugën e vetme të së vërtetës”, pra rrugën e Kurtit (kujto rregullën e 5-të të KGB-së, ku thuhet patjetër të gjendet idioti që e konfirmon gënjeshtrën e madhe, sa për ilustrim kemi rastin e mjekut gjerman Dr. Segal, i cili i shtyrë nga KGB-ja, në vitin 1986, konfirmoi “shkencërisht” se HIV është prodhuar në laboratorët amerikanë).

Duke i përsëritur këto GËNJESHTRA TË MËDHA, ky arriti ta bind ¼ e qytetarëve se ky është “Mesia” dhe të tjerët janë fundërrina. Kjo është njëlloj si puna e gurit, kur e godet me çekan me vite të tëra e dikur arrin t’ia bësh një vrimë. Dhe kjo është pikërisht rregulla e shtatë e KGB-së, pra, përsërit me vite të tëra GËNJESHTRAT E MËDHA derisa ato fillojnë të besohen nga turmat.

Pra, ka mjaft ngjashmëri në mënyrën e operimit të ish- KGB-së dhe Albin Kurtit. Dikush mund të thotë që është krahasim i pa vend, të tjerët  mund të thonë se këto ngjashmëri mund të jenë edhe rastësi përderisa objektivat e KGB-së e ato të Kurtit, janë totalisht të ndryshme. Nuk është aq rastësi dhe qëllimet nuk janë edhe aq të ndryshme. Kurti është i mishëruar në të majtën radikale dhe si i tillë, edhe intervenimet amerikane në Kosovë shpesh i ka parë me motive imperialiste. Po të dëgjohej Kurti për Rambujenë, s’do të kishte bombardime të NATO-s mbi Serbinë dhe po të dëgjohej Kurti për Planin e Ahtisarit, s’do të kishim shtet dhe as Kurti karrike të kryeministrit sot. Ngjashmëria me KGB-në është te targeti. Edhe KGB-ja kishte target SHBA-në,po ashtu edhe Kurti. Dallimi është se KGB-ja në pa mundësi për të luftuar  me SHBA-në, sepse ajo ishte dhe është ushtarakisht shumëfish më e fortë, lansonte subversione e dezinformata brenda në SHBA, me qëllim demoralizimi e destabilizimin e shoqërisë amerikane (sa për ilustrim të kujtojmë rastin e protestës më 2016 në Houston (Texas) apo edhe rasti i ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale në SHBA i njohur si “Pizzagate Conspirancy”, të dyja të organizuara nga shërbimet ruse, me jo pak pasoja për shoqërinë amerikane). Kurse, Kurti nuk ka qëllim destabilizimin e SHBA-së nga brenda (sepse nuk mundet), por gjithsesi refuzimin e SHBA-së nga jashtë. Përmes refuzimit brutal që i bën administratës së Trump-it dhe Grenellit-it (i cili udhëheq hiç më pak se me 15 agjencione të intelegjencës së shtetit më të fuqishëm në botë) dhe duke i servuar opinionit të Kosovës një gënjeshtër të madhe se Grenelli dhe SHBA-ja duan ta ndajnë Kosovën për qëllime të tyre elektorale, thjesht Kurti po mbjell dhe po ushqen sentimente anti-amerikane në Kosovë.

Edhe pse jetojmë në një kontekst tjetër kohor dhe gjeopolitik, ashtu siç bënte KGB-ja në të kaluarën, edhe Albin Kurti, po prodhon “bullshit” për SHBA-në. Përsëritja e GËNJESHTRAVE TË MËDHA për SHBA-në në stilin e KGB-së, mund të sjell deri te ndërrimi i përcepcionit të një pjese të caktuar të qytetarëve për realitetin dhe për fuqinë providenciale të SHBA-së për Kosovën. Ky është rreziku që i kanoset Kosovës me Kurtin si kryeministër dhe kjo është çfarë dëshiron Kremlini. Kurti ka shkuar aq larg me amerikanët sa që, s’i ka mbetur tjetër përveç se të fillojë ta shkruajë librin e tij të parë që do të mund ta titullonte “ Rreziku Amerikan për Kosovën”, ashtu siç dikur e shkroi Enver Hoxha librin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Vendin se ku do ta shkruajë i mbetet ta zgjedh ai vetë. Për dallim prej Enverit, ai këtë mund ta bëjë edhe në ndonjë vend tjetër, për shembull nga Norvegjia.

Thënë shkurt, tani që karta (gënjeshtra madhe) e bashkimit kombëtar iu konsumua, pastaj fakti që po e lepin atë që e pështyu (pra, shtetin e Ahtisarit) dhe kur qytetarët po e kuptojnë që ky nuk ka zotësi (e as bashkëpunëtorë), të ofrojnë zhvillim ekonomik, për shkak të sjelljeve prej një idhnaku provincial, arroganti e adoleshenti, Kurti ka lansuar gënjeshtrën e madhe të radhës në stilin e KGB-së. Kjo është gënjeshtra për komplotin amerikan kundër Kosovës.

Përderisa gënjeshtrat për bashkimin kombëtar, Planin e dëmshëm të Ahtisarit e çkapjen e shtetit, krijuan pasoja dhe polarizim politik e qytetar në Kosovë, “bullshit”-i për SHBA-në na rrezikon edhe shtetesinë e Kosovës dhe këtë qëllim e ka vetëm Kremlini. Gënjeshtrës për komplotin amerikan kundër Kosovës tash ia ka bashkëngjitur edhe gënjeshtrën e radhës se  kinse 85 deputetë që përfaqësojnë shumicën e sovranit po duan ta rrënojnë rendin kushtetues e demokratik. Për këtë po bën ftesë për trazira, po përgaditë terrenin për shkarkime në polici, po heq rrrethojat e qeverisë për t’ua bërë shtegun fanatikëve trutharë që të sulmojnë ndërtesat e qeverisë. Pra, Kurti, kërkon finalen që gjithmonë e ka dashur, pra gjakderdhjen. Të shkelë mbi kufoma, ashtu siç bëri në të kaluarën për qëllimet e tij politike.

A nuk na ngjan ky plan në planet e Kremlinit për përmbysje të shtetit të Kosovës?

Se Kurti ka qenë i kobshëm në të kaluarën, tani e kemi parë të gjithë. Për kauzat e tij të rreme si bashkimi kombëtar, Plani i dëmshëm i Ahtisarit, etj. Brenda projekcioneve të tij politike deri më tani në kohë paqeje (pas luftës) janë vrarë 4 djemë të ri të Kosovës. Pra, njerëzit janë vrarë e kauzat për të cilat janë vrarë, nuk përmendën më nga Kurti. Kurti i etur për gjak të njomë të kosovarëve po kërkon vrasjet e radhës për kauzën fiktive të radhës që po e prodhon. Se Grenell-i dhe SHBA-ja po duan ta dëmtojnë Kosovën (investimin e tyre), për qellime elektorale në SHBA, është vetëm “bullshit”, i Albin Kurtit. Nuk është kauzë, është gënjeshtra e radhës. Prindërit e Kosovës nuk kanë fëmijë për të dalë për t’u vrarë në shesh për shkak të gjendjes mendore të paqartë të Albinit dhe ambicieve të tij të sëmura politike. Prindërit e Kosovës, shteti i Kosovës me insitucionet e veta dhe partnerët tonë strategjikë, të gjithë së bashku nuk do të lejojnë realizimin e skenarëve të Kremlinit në Kosovë. Të gjithë së bashku përfundimisht do ta hedhin Kurtin dhe çmendurinë e tij politike, pra në kanalizimin e historisë politike, Pikërisht aty ku e ka vendin!

Të ngjashme