Gjendja thuajse alarmante në shëndetësinë publike të Kosovës dhe dorëheqja e Rifat Latifit

Prishtinë | 07 Tet 2022 | 17:24 | Nga Muhamet Mustafa

Me konstatimin se gjendja në sektorin publik të shëndetsisë është për një kohë të gjatë thuaja alarmante, nuk kemi thënë asgjë te re. Në secilin raport të Institutit Riinvest dhe në secilën paraqitje timen publike, për situatën ekonomike e sociale viteve të fundit, kemi tërhequr, natyrisht jo të vetmit, vërejtjen për këtë fakt dhe kemi propozuar domdoshmërinë për një kthesë radikale.

Ky konstatim dhe kërkesa për kthesë radikale del fare qartë nga disa fakte që jnë dhënë tanimë një kohë të gjatë:

1. Shpenzimet qeveritare për shëndetsinë në Kosovë janë diku 3.2-3.4 % të produktit vendor bruto – GDP (Shqipëria e Maqedonia 6-7%, Serbia, Bosna e Hercegovina dhe Mali i zi , rreth 9%)

2. Pagat e mjekëve specialistë rreth 590 Euro (dhe si duket këtë nuk e ka adresue sa duhet as Ligji i ri për pagat)

3. QKU, me histori pune 50 vjet dhe atributin universitare, nuk ka paisjet dhe kushtet që të bëjë diçka shumë elementare – analizat komplete standarde të gjakut

4. Sa ka dhe si punojnë paisjet është po ashtu lajm i përditshëm – shihni se ka paisje për rezonancë magnetike në institucionet publike dhe sa prej tyre janë aktive , dhe si rrejdhojë se sa duhet të presin pacientët për të marrë një sherbim që me standardet e sotme është elementar;

5. Shkoni vetëm deri ne “Sistina” në hyrje të Shkupit nga Kosocva dhe shihni strukturën e pacientëve ( aty thuaja nuk ka fare pacientë maqedon, të gjithë janë nga Kosova)

Kjo gjendje nuk mund të arsyetohet me veshtirësi buxhetore. Kosova me buxhetin e saj do të mund të përballonte këtë problem që godit rëndë sidomos klasen e mesme dhe, të papunët, pensionerët, popullsinë afër ose nën kufirin e vrafërisë. Për këtë nuk mund të fajsohen as pjesa më madhe e stafit në QKU. Shumë prej tyre japin atë që munden.

Natyrisht që ka edhe shumë probleme të ndërlidhura të kësaj gjendjeje me politizimin, influencën partiake, prokurimin, konfliktin e interesit ne relacioni sektori privat dhe ai publik i shëndetsisë. Por të gjitha mund te tejkalohen me një përkushtim të njëmendët të Qeverisë, Kuvendit, Ministrisë dhe QKU edhe institucioneve të tjera të shëndetsisë publike. Këtë deri me sot nuk e bëri asnjë qeveri, asnjë koalicion qeveritar.
Në margjina diçka edhe për Ministrin Latifi që dha doreheqje. Pa i ditur shkaqet. Duke e njohur gjatë dhe ditur referncat e tij e kam vlerësuar si hap të mirë ardhjen e tij në kët disakter. Por edhe I kam sugjeruar që nëse nuk gjen përkrahje për të zgjidhura problemet e listuara në këtë tekst si hap fillestar ( u nga 1 deri në 5) nuk mund të bëjë asgjë. Dorheqja e tij le te jetë një moment që vertetë të adresohen problemet e cekura.

Adresimi i tyre urgjent dhe efektiv është një parakusht elemntare fillestare për ta ndryshuar gjendjen në këtë sektor, gjendje kjo që asnjërin nga ne nuk duhet të lërë indiferentë.

Të ngjashme