Kosova në pritje të verdiktit të “Zgjedhjeve presidenciale në SHBA, me 3 nëntor 2020”

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 10:22 | Nga Arbnor Sadiku

 Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën e 3 nëntorit votohet për presidentin e ardhshëm që do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë për katër vjet. Në garë presidenciale janë presidenti aktual Donald Trump dhe demokrati Joe Biden, ish-zëvendës presidenti i Amerikës në presidencën Obama.

Në kontekstin që po flasim, të zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe  në rast të një fitoreje të mundshme të Trump, lirisht mund të themi se ai do të aplikojë kryesisht një model ndryshe për marrëveshjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, në anën tjetër nëse fiton kandidati demokrat Joe Biden, ai do të tentojë të ri sjellë një perëndim të unifikuar për çështjet e pa zgjidhura në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I. Ç ‘precedent solli pafajësia e Trump-it në Senat-

Gjyqi i pafajësisë ndaj presidentit Trump ka dëmtuar më së shumti  Kushtetutën amerikane dhe Dhomën e Përfaqësuesve, duke ju dërguar mesazh të qartë kongresistëve që mos marrin  më iniciativa të tilla. Pra, edhe pse demokratet kishin paraqitur me kujdes shumë prova për shkelje të Kushtetutës kundër presidentit Trump, përsëri ishin republikanët ata që nuk i shqyrtuan akuzat kundër tij as në Dhomën e Përfaqësuesve  e as në Senat. Ata  nuk i lanë dëshmitarët që të paraqesin provat dhe vendosën të shfajësojnë Trump-in nga akuzat para kohe; pra, republikanët nuk i kanë kryer detyrat tyre kushtetuese, dhe për rrjedhojë viktimë e krejt kësaj del të jetë Kushtetuta e SHBA-së.

Tashmë që  Trump nuk ishte gjet fajtor dhe nuk u largua nga zyra, edhe për kundër shumë provave të bazuara kundër tij, kjo i bie se që nuk ekziston asnjë gjë për të cilën një president i ardhshëm amerikan mund të fajësohet, dhe sipas shumë njohësve të drejtësisë,  ky mund të konsiderohet precedenti i parë. Dhe precedenti tjetër është se ekzekutivi po bëhet më i fort se legjislativi  dhe gjyqësori amerikan. Kështu, presidenca amerikane kishte shkuar drejt një fortifikimi më të madh, dhe për rrjedhojë në dëm të Kushtetutës së SHBA-së, nën presidencën Trump. 

II. Marrëdhëniet e  SHBA-së me Rusinë, Kinën dhe Izraelin –

Dikur gjatë Luftës së Ftohët ish Bashkimi Sovjetik, BRSS-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës SHBA,  e luanin lojën me shumë shumë 0, në kuptimin që fitorja e njërës palë në një pjesë të botës sa i përket influencës dhe lidershipit konsiderohej dobësim dhe humbje për palën tjetër, ndërsa që nga 11 Shtatori i 2001-es, tanimë kjo teori si duket ka rënë nga loja, dhe bashkëpunimi në mes këtyre dy shteteve të mëdha me ndikim në gjeopolitikën botërore, do të avancohet ma tej.

Siç e kishte thënë më parë njohësi i  shkëlqyer i Marrëdhënieve Ndërkombëtare ish Sekretari i shtetit në SHBA Henry Kissinger, se  Marrëdhëniet Amerikane – Evropiane-Ruse duhet të përballojnë katër sfida bazë :

– Marrëdhëniet duhet të ngrihen nga një nivel psikologjik në atë politik, pra nëse i shikojmë në aspektin e dioptrisë analitike dhe krahasuese i bie se  ato marrëdhënie apo thënë më saktë ato raporte, nuk mund të varen nga marrëdhëniet personale të udhëheqësve Rus dhe Amerikan. Ky bashkëpunim duhet zgjerohet e sidomos në ndalimin dhe kufizimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe atyre nuklerare, por për tu arritur kjo kërkohet punë dhe angazhim i thellë i dyja vendeve si SHBA-së, po ashtu edhe i Rusisë, duke e sanksionuar çdo shtet i cili dëshiron të konkurroj në krijimin  e armëve të reja bërthamore, sikurse Irani dhe Koreja e Veriut.

-Në fushën politike,  nevojat e së sotmes nuk duhet të mbulohen me shpresat për të ardhmen, pra veçanërisht ruajtjen e raporteve me Evropën përmes aleancës së  NATO-s, si linja e vetëme zyrtare e raporteve në mes dy fuçive, por këtu s’duhet përjashtuar edhe Kinën, Japoninë dhe Izraelin. Amerika s’mund të taktizoj  asnjëherë me ndonjë politik momentale kur vihen në pyetje interesat e saj,  dhe aleateve te vet.

-Rusia do të kërkojë që të ruaj influencën e vet në rajonet e një rëndësie gjeopolitike dhe historike për të dhe kjo duhet jetë bazë për ndërtimin e raporteve të reja Amerikano-Ruse, duke mos lanë anash edhe raportet e reja të mira me Kinën dhe Korenë e Veriut;

III. Ku ndryshojnë në mes veti Trump dhe Biden, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë Serbi-

Nëse presidenti Trump fiton, ai do të vijë së shpejti në rajon dhe do të ketë një model shtytje ndryshe për zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin që ai do të insistojë që marrëveshja finale të bëhet në mandatin e tij në formën e politik-bërjes çfarë e bënë në të gjithë rajonin, dhe ndaras nga Bashkimi Evropian ndërsa nëse do të fitojë zoti Biden ai do të provojë që ta ri sjellë BE-në dhe një perëndim të bashkuar në Ballkan, të gjejë një zgjidhje për Ballkanin së bashku me BE-në por ende nuk jam i sigurt që do të jetë e mirë si politikë por nuk jam i sigurt qe BE është e gatshme t’i përgjigjet veprimeve dhe pritjeve të një administrate të tillë që kanë të bëjnë me integrimin e Ballkanit, me fjalë tjera Biden është i aftë të ndërtojë konsensus. Kjo u jep amerikanëve shpresë se ai do të rivendosë rendin ndërkombëtar për të sunduar botën, po ashtu pritet që SHBA do kalojë nga një gjendje anarkie në rend të brendshëm shtetëror, dhe koordinim më të mirë politiken e jashtësme me aleatët euro-perëndimor. Pavarësisht fituesit të zgjedhjeve amerikane, ajo çfarë do të jetë e sigurt është se Ballkani Perëndimor do të ketë vëmendjen e presidentit të 46-të, të Shteteve të Bashkuara. Kjo, për shkak se do të tentohet t’i jepet zgjidhje disa çështjeve që po mbajnë peng këtë rajon.

IV. Administrata e re amerikane,  do të provojë t’i jap zgjidhje konkrete vendeve të Ballkanit-

Aty ku nuk mund të ketë dallime të mëdha në mes të dy pretenduesve për presidentin e 46-të të SHBA-së, z. Trump dhe Baiden është se të dyja administratat do të provojnë t’i japin zgjidhje Ballkanit, do ta mbajnë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor për shkak të zhvillimeve të mëdha globale. Aty ku nuk ka dallime në mes të dy pretenduesve presidencial të SHBA-së, është përafrimi i Kosovës drejt NATO-së, si dhe pavarësia e Kosovës mbetet e pa kthyeshme,  e konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).  Mirëpo, realiteti politik është që marrëdhëniet e cenuara transatlantike mes vendeve të BE-së dhe ShBA na kanë dëmtuar dhe kjo duhet të rikuperohet disi e nuk është vetëm për fajin e administratës Trump por vendeve të BE-së.

Ndaj si përfundim mund të themi se edhe pas zgjedhjes presidentit të 46-të, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet e 3 nëntorit 2020,  nuk do ketë ndryshime në politikën e jashtme amerikane, e cila mund të ketë reperkusione për Kosovën, përkundër faktit që demokratët dhe republikanët në raste të caktuara dinë të ndjekin trende të ndryshme në politikën e jashtme. Praktika e deritashme ka treguar si njëra, ashtu edhe partia tjetër, ka qenë mbështetëse e fuqishme e shtetësisë dhe subjektivitetit juridik dhe politik ndërkombëtar të Kosovës dhe unë pres që është pas zgjedhjeve të nëntorit, kushdo që të jetë në pushtet në ShBA do të vazhdojë ta mbajë Uashingtonin si partnerin kryesor strategjik të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme