Na duhen 100 euro! Paraja duhet të qarkullojë…

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 14:17 | Nga Lutfi Dervishi

Një turist shkon në një hotel në Vlorë dhe kërkon një dhomë.

Kam dhoma vetëm në katin 6-të, por më është prishur ashensori. A mund të përdorësh shkallët?

Turisti pranon me kënaqësi.

Ju lutem ju duhet të më lini 100 euro garanci.

Nëse ju pëlqen dhoma do ta keni të paguar natën e parë, nëse jo do t’u kthej 100 euro.

Turisti i jep të zotit të hotelit 100 euro.

I zoti Hotelit menjëherë shkon te dera ngjitur dhe i jep të zotit të minimarketit 100 euro dhe merr furnizimin e mëngjesit.

I zoti minimarketit nxiton dhe i jep Kasapit ngjitur 100 euro për t’i blerë 7 zogj të freskët fshati. Vetë Kasapi i jep 100 euro vëllait që ja kishte pa paguar si trajner i Xhudos për dy djemtë e tij. Vëllai nxiton dhe kthehet të zotit hotelit dhe me ton të ngritur i thotë:

Urdhëro 100 euro për natën e Shën Valentinit se kishe frikë se nuk do ta paguaja.

Jo vëlla nuk kisha frikë, por isha i sigurtë se nuk do e shihja më 100 euron me sy!

Ja ku i ke para syve 100 euro!

Në këtë moment turisti i huaj zbret nga kati i gjashtë dhe i thotë: dhomat ishin shumë të mira, por ndoshta do të vij nesër.

Urdhëro 100 euro që më le kapar- i thotë i zoti Hotelit duke e marrë kartmonedhën nga duart vëllait të Kasapit.

Mësimi nga kjo fabulë e vjetër ekonomike: paraja duhet të qarkullojë. Qeveria/banka duhet të bëjë rolin e turistit, përndryshe, hotelet, marketet, pikat e shumicës… do të mbyllen.

Të ngjashme