Një Qeveri e Absurditetit dhe që fshihet në protestues!

Prishtinë | 26 Gus 2021 | 21:24 | Nga Blerta Deliu

Është e kotë përpjekja e kësaj qeverie për ta fshehur dështimin dhe sjelljen e papërgjegjshme karshi besimit që qytetarët e vendit tonë ia kanë dhënë më 14 shkurt.

Albin Kurti, Arben Vitia, Albulena Haxhiu, e plotë të tjerë të kësaj Qeverie, nuk mund të fshihen gjithmonë. Nuk mund të fshihen as në mesin e protestuesve, të cilëve tentuan t’ia keqpërdorin të drejtën dhe qëllimin e mirë të protestës.

Pjesëmarrja e ministres Haxhiu në protesten e sotme shpërfaq absurditetin e kësaj Qeverie. Qëllimi i ministres Haxhiu është të fshihet në mesin e protestuesve dhe të gënjejë qytetarët se protestuesit nuk kanë ardhur të protestojnë te Ministria që unë e drejtojë. Zonja Haxhiu duhet t’i kryejë detyrat e saj që ia cakton kushtetuta dhe ligjet, sepse vetëm në këtë mënyrë protestuesit do ta shohin arritjen e qëllimeve të protestës. Në të kundërtën, paraqitja e saj në protestë, sa absurde, është edhe heqje dorë nga punët e saj.

Ka dy javë që në Kosovë po regjistrohen shifra rekorde të vdekjeve nga pandemia. Dy përgjegjësitë kryesorë për menaxhimin me pandeminë janë Albin Kurti dhe Arben Vitia. Të dytë janë fshehur dhe kanë injoruar tërësisht gjendjen. Të paktën, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë ndonjë mesazh ngushëllues për qindra familje që po humbin më të dashurit e tyre, ose mesazh inkurajues për mjekët që çdo ditë po bëjnë punë heroike.

Me shumë gjasë Albin Kurtin dhe Arben Vitinë mund t’i shohim në ndonjë protestë kundër keqmenaxhimit të pandemisë nga Qeveria. Nga kjo Qeveri e absurdit, mund të ndodhë që Kurti dhe Vitia të mbajnë pankarta në duar kundër vetës së tyre.

Të ngjashme