“Shqiptarizimi” i Ballkanit

Prishtinë | 29 Nën 2022 | 11:07 | Nga Afrim Kasolli

Sa herë që vijnë festat sikur kjo e 28 nëntorit, në mënyrë të vetvetishme, pushtohemi nga sentimente jo të zakonshme të solidaritetit dhe po ashtu hovëzon më shumë ndjenja e gëzimit dhe krenarisë kombëtare.

Mirëpo, pasi të kalon kjo atmosferë festive, davariten emocione të tilla dhe i rikthemi jetës së përditshme. Mbase normale kjo! Po ashtu shpeshherë nxiten dyshime dhe pikëpyetje mbi efektet psikologjike, morale, politike dhe sociale që mund të krijojnë çaste të tilla përndezëse. Dilema të tilla marrin kuptim, sidomos kur marrim parasysh faktin se jemi pjesë e një rajoni ku identifikimi me projektin nacionalist ka prodhuar jo pak pasoja tragjike, e të cilat jemi duke i vuajtur ende.

Madje, në vazhdimësi është pohuar se ky rajon ndodhet në mes dy alternativave, ndërmjet evropianizimit në njërën anë dhe ballkanizmit në anën tjetër. Me të parën nënkuptohet toleranca, respektimi i tjetrit, paqja, integrimi, barazia dhe liria, kurse me të dytën stagnimi, bllokimi, urrejtja ndëretnike, dhe paaftësia për bashkëjetesë, ndjenja këto që burojnë nga projektet kombëtare.

Mirëpo, një qasje e tillë sheshuese, që i bënë përgjegjëse të gjitha nacionalizmat në Ballkan për ato që kanë ndodhur, i mohon pikërisht vlerat pozitive të projektit kombëtar të shqiptareve. Sepse shprehur në mënyrë metaforike, po u pranua ideja e “shqiptarizmës”, edhe nga popujt tjerë të rajonit si normë e sjelljes kolektive dhe veprimit politik, atëherë ajo mund të përdoret si alternativë për t’i hapur rrugë proceseve integruese dhe për të kultivuar raporte paqësore ndërfqinjësore në këtë pjesë të trazuar të botës.

Pra, me një fjalë “shqiptarizimi” i Ballkanit mund të shërbejë si ndihmesë e jashtëzakonshme e evropianizimit të tij. Prandaj, me të drejtë edhe artistja më famë botërore, Dua Lipa e tha dje në qendër të Tiranës me plotë gojë, se ne “duhet të jemi krenar që jemi shqiptar”.

Ndërkaq, këtu duhet pasur parasysh faktin, se ideja e shndërrimit të “shqiptarizmës” në mendësi politike edhe për popujt tjerë të Ballkanit nuk nënkupton asimilimin, prozelitizimin apo nënshtrimin e tyre, sepse synime të tilla nuk përkojnë me këtë projekt politik, por përkundrazi, çlirimin nga projektet e tyre nacionale, që ishin të bazuara kryesisht në këto impulse parake.

Bie fjala, për shumë se një shekull angazhimi i të qenit shqiptar nuk supozonte asgjë tjetër, pos luftën për liri, barazi dhe drejtësi. Ky kod nuk përmbante në vetvete impulse hegjemonike. Synime për dominim, nënshtrim, spastrim etnik, sepse aspirata të tilla janë të huaja për të, sikur bie fjala nacionalizmi serb, që është i ushqyer tradicionalisht mbi synime të tilla, e i cili i ka shkaktuar jo pak telashe rajonit. Pikërisht pamundësia e kësaj mendësie për t’i pranuar të tjerët si të lirë dhe barabartë, e mban ende të prangosur atë shoqëroi në fantazmat e së kaluarës.

Ndërkohë, siç thamë, ideja e shqiptarizimës nuk mobilizohej nga aspirata të tilla kundër tjerëve. Por si për të jetuar të lirë dhe në fqinjësi të mirë me ta. Nocionet drejtësi, liri dhe të qenit shqiptar, çuditërisht u bënë sinonime në këtë pjesë të kontinentit për një kohë të gjatë. Kjo edhe është arsyeja që vlerat e humanizimit dhe tolerancës gjetën strehë me lehtë dhe me shpejt në kuadër të këtij projekti politik. Nuk është e rastësishme, që kur filloi shkatërrimi i Jugosllavisë, serbet e nxorën ne krye të tyre projektin frustrativ gjenocidial të Milosheviqit. Kurse shqiptarët projektin politik paqësor dhe demokratik të Ibrahim Rugovës. Ndërkohë, edhe kur u bë e domosdoshme lufta e armatosur, ajo nuk synonte asgjë më shumë, se sa “mbrojtjen e pragut të shtëpisë”.

Kurse kur filluan negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës, elita politike shqiptare i pranoi me lehtësi kompromiset politike për akomodim të minoriteteve, sepse për ta shteti i Kosovës ishte vetëm shprehje e kësaj aspirate të kamotshme të shqiptarëve që edhe të tjerët të jetojnë të barabartë në kuadër të tij. E të mos flasim efektet demokratizuese që prodhuan shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, këto të drejta serbët për shkak të instrumentalizmit të Beogradit edhe sot e kësaj dite i përdorin si mjet për ta sabotaur dhe bllokuar këtë projekt fisnik, me qëllim që ta transmetojnë mesazhin para bashkësisë ndërkombëtare “se të gjithë jemi të njëjtë”. Pjesë e këtij skenari të kobshëm është edhe Gjykata Speciale. Kështu, më shumë se sa fati personal i individëve që sot mbahen peng në këtë institucion, më tragjike është goditja që e ka pësuar ky projekt që do të duhej të shërbente si model për tërë rajonin.

Lista e fakteve të tilla është e gjatë. Ato nuk mund të përmenden të gjitha. Por si të tilla ato dëshmojnë një gjë, se vetëm “shqiptarizimi” veçanërisht tani i Ballkanit Perëndimor, krijon një prospekt civilizues për paqen, integrimin, stabilitetin dhe sigurinë edhe në këtë pjesë të Evropës. Afirmimi i këtyre xanxave që kanë ditur të ngrohin vetëm qenien tonë, është bërë më i domosdoshëm se kurrë më parë.

Të ngjashme