Themelimi i Asociacionit ka hyrë në një rrugë pa kthim

Prishtinë | 06 Gus 2022 | 11:16 | Nga Afrim Kasolli

Siç po shihen gjërat, themelimi i Asociacionit ka hyrë në një rrugë pa kthim. Me kot mundohet gjeniu i vogël i kësaj qeverie, Besnik Bislimi, ta kërkojë fajtorin kujdestar te interesi i opinionit publik për këtë temë, sepse sipas tij, kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë.

Ndërkohë, u vërtetua se edhe në takimin me Sekretarin amerikan të shtetit, kryeministri dhe presidentja e kanë pasur për bosht të bisedës edhe mundësinë e themelimit të tij. Ndonëse asnjëri nuk e informuan publikun për këtë zhvillim.

Legalizimi i Asociacionit në këtë mënyrë është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës në këtë fazë. Ky entitet do të mund të themelohej vetëm si pjesë e pakos së njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve.

Mirëpo, ndryshimi i agjendës së dialogut nga kjo temë e madhe në një proces të vazhdueshëm për çështje specifike që i parashtron Serbia, nuk do të prodhojë asnjë zgjidhje. Përkundrazi, vetëm sa do t’i komplikojë gjërat. Sepse, në këtë mënyre po shkohet në dialog vetëm të dëgjohen kërkesat e Serbisë dhe që shteti i Kosovës të obligohet t’i zbatojë ato.

Me këtë nuk po them se edhe në të kaluarën nuk ka qenë kështu. Mirëpo, kjo praktikë duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

E kjo strategji miope edhe e qeverisë aktuale, ka ndikuar që kohën edhe fundit edhe administrata amerikane të tërhiqet, për dallim nga kërkesat e mëhershme, kur në vazhdimësi e potenconte njohjen reciproke si qëllim final të dialogut. Ka kohë që ky synim nuk është përmendur. Sepse, edhe SHBA-të kanë filluar t’i përshtaten qëndrimit të qeverisë për të diskutuar për tema të veçanta. Do të ishte iluzore të pritet që SHBA të insistonte në diçka më shumë se sa vetë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.

Kryeministri e ka gabim nëse kalkulon se mund të bëjë çka të dojë më këtë proces, pasi nuk ka rezistencë nga opozita. Sepse, edhe në mungesë të kësaj të fundit, që po shihet që realisht ajo ekziston vetëm si formë, por jo edhe si përmbajtje, vet procesi do ta konsumojë dhe do ta degradojë. Ashtu siç i zhvleftësoi të tjerët para tij mungesa e rezultateve.

Dhe nuk ka dikush që ka përfituar më shumë politikisht sesa vetë kryeministri pikërisht për shkak të degradimit të dialogut në një proces të vazhdueshëm dhe pa qëllim. Këtë e kuptuan amerikanët, prandaj filluan ta kërkojnë njohjen reciproke si synim përfundimtar të tij. Por, pasi qeveria aktuale nuk po kushtëzon zbatimin e obligimeve të shtetit të Kosovës më këtë objektiv edhe ata kanë filluar të tërhiqen për momentin prej kësaj agjende. Kjo ka bërë që tash Asociacioni të jetë temë kryesore e dialogut, e njohja?!

Të ngjashme