Opozita ankohet se ministrat s’po vijnë të raportojnë në Komision, pozita ka një arsyetim

Prishtinë | 17 Jan 2023 | 12:00 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e opozitës kanë shprehur shqetësimin e tyre për dështime të mbledhjeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë vitit 2022, raporton Ekonomia Online.

Nga opozita thonë se dështimet kanë ndodhur për shkak të mosraportimit të ministrave të kabinetit qeveritar, ndërsa nga mazhoranca thanë se dështimet e ndodhur kanë ndodhur për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, thotë se mbledhjet e Komisionit nuk kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, por për shkak të mosprezencës së ministrave për raportim.

Njëjtë mendon edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ai tha se si pasojë e mungesës së ministrave për raportim, shumë mbledhje kanë dështuar, teksa shprehet i shqetësuar se e njëjta mund të ndpdh edhe këtë vit.

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani thotë se ministrat e kanë për obligim të vijnë për të raportuar në komisione, ndryshe nga deputetët.

“Dallon raportimi i ministrit me atë të deputetit, sepse ministri e ka për detyrë dhe obligim me ardh me raportuar sa herë që i kërkohet, ndërsa deputeti mundet vetë me vendos a do me ardh apo jo. Edhe me rregulloren e re të punës, ministri duhet me ardh me raportuar”, tha Rrahmani.

Kryetarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami, tha se ministrat që ishin ftuar për raportim kishin mbajtur konferenca në Shqipëri.

“Ka pasur ministra të ftuar për raportim, ndërsa në media e kemi parë që i njëjti ka mbajtur konferencë për media në Shqipëri”, tha Bajrami duke përmendur rastin e ministrit Hekuran Murati i cili ishte i ftuar në këtë Komision, por që i njëjti kishte shkuar për një vizitë në pikën doganore në Shqipëri.

Pas shumë diskutimeve, komisioni e votoi raportin Vjetor të Punës së këtij komisioni për vitin 2022.

Të ngjashme