Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti për vitin 2019 nuk është në përputhje me nevojat që ka Kosova. Sipas tij, projektet e reja në Kosovë duhet t’i marrin parasysh nevojat e komunave dhe jo ndarja e tyre të bëhet në baza partiake, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë diskutuar për ndarjen buxhetore për vitin 2019. Me këtë rast ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Hamza ka thënë se edhe ai do të kishte dëshirë që buxheti për vitin e ardhshëm të jetë edhe më i madh. Ai këtë të enjte ka bërë të ditur se buxheti i paraparë për vitin 2019 është 1 miliard e 949 milionë euro.
Ndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm e kanë kundërshtuar deputetët nga subjektet opozitare në vend. Sipas tyre, buxheti nuk do të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik.