Opozita po dezinformon për zhvillimet në Komunën e Drenasit, thotë zëdhënësi

Drenas | 08 Shk 2018 | 18:45 | Nga

Zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, ka dërguar për medie një sqarim lidhur me seancë e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Drenasit, të thirrur sot nga 1/3 e anëtarëve të Kuvendit. Sipas tij, nga disa anëtarë të Kuvendit po vazhdon të keqpërdoret skajshmërisht parimi i demokracisë.

Reagimi i plotë:

Të enjten, më 8.2.2018, është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Drenasit e thirrur nga 1/3 e anëtarëve të Kuvendit, ku po vazhdon të keqpërdoret skajshmërisht parimi i demokracisë nga disa anëtarë të Kuvendit.

Komuna e Drenasit, ndjen për obligim të sqaroj opinionin rreth kësaj mbledhje, ku shumica e mediave elektronike, kanë shtrembëruar realitetin e këtij takimi të legjislativit komunal, duke cituar një asamblist opozitar që nuk rresht të dezinformoj opinionin rreth Asamblesë, Kryetarit të komunës dhe Kryetarit të Asamblesë së Drenasit.

Ligji për vetëqeverisje Lokale, përkatësisht neni 44 pika 44.5, decidivisht tregon rregullat që duhet zbatuar në një mbledhje të rregullt, zbatohen edhe në mbledhjet e jashtëzakonshme, i vetmi ndryshim është se nuk mund të ndërrohet përmbajtja e rendit të ditës dhe të shtohet pikë tjetër e rendit të ditës. Propozimi i rendit të ditës duhet të hidhet në votim dhe kjo është zbatuar, ku me shumicë votash është kundërshtuar ky propozim për rend të ditës.

Vet thirrja e mbledhjeve të jashtëzakonshme e dyta me radhë brenda dy javësh nga ana e opozitës me pikën e njëjtë për rend të ditës, “shkelja e akteve juridike në Komunën e Drenasit”, është paragjykuese dhe si pikë është shterur në mbledhjen e rregullt kur është themeluar Komiteti për Politikë e Financa, me çka vet opozita ka bërë shkelje duke i propozuar anëtar të këtij komiteti vetëm nga gjinia mashkullore, pa e respektuar kuotën gjinore që i obligon edhe Ligji.

Sa i përket aludimit të opozitës rreth shkëputjes së kontratave, ose themelimeve të vendeve të punës (5 punëtor) më Vendim të Kuvendit, me numër 12-112-9002 i datës 19.02.2016 i thirrur në nenin 34.6 të Statutit të Komunës, lusim të gjithë njohësit e Ligjit, por edhe Anëtarët e Kuvendit të kësaj legjislature, të shohin se çfarë baze ligjore është mbështetur ky vendim. Në të njëjtën kohë kërkojmë nga ana e MAPL-së të njoftoj Komunën e Drenasit nëse i njëjti vendim është dërguar për ligjshmëri.

Akuza e opozitës ndaj z. Lladrovci lidhur me këtë vendim, është e pa bazë kur dihet se kryetari Lladrovci nuk ka qenë ne krye të Komunës.

Për hir transparencës, llogaridhënies ndaj qytetarëve të Drenasit, opinionit të gjerë dhe faktorëve relevant, ne këtë sqarim përcjellim kopjen e vendimit të lartcekur, procesverbalin e mbledhjes së rregullt të datës 09.02.2016, i hartuar me 04.03.2016, ku mund të shihen rendi i ditës dhe vendimi i marrë nga ana e Kuvendit mbi bazën e nenit 34.6 të Statutit të Komunës së Drenasit.

Ndërsa sa i përket aludimit nga ana e opozitës për ndërhyrje politike, të kryetarit të Komunës në KF “Ferronikeli”, nuk qëndron. Kryetari lidhur me këto pretendime, është i gatshëm të raportoj para asamblesë rreth kësaj çështjeje, edhe pse disa herë ka dhënë shpjegime në opinion. Kryetari e ka dëshmuar se është dashamir i sportit dhe ka ndihmuar klubin në të gjitha aspektet.

Kryetari i Komunës së Drenasit është bërë imun rreth akuzave të pa baza të një opozitari të papërmirësueshëm që dezinformon opinionin. Asnjë dezinformim i lansuar në opinionin kundër Z. Lladrovcit nuk ia humbin vullnetin as përqendrimin atij në punë për të mirën e qytetarëve të Komunës së Drenasit, në pajtim me ligjin.

Kërkojmë nga mediat të cilat, kanë raportuar sot rreth seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, për hir të informimit dhe pasqyrimit të drejt të punës në Asamblenë komunale të Drenasit dhe Z. Lladrovcit, por dhe korrektësisë, ju lusim që ta botoni këtë sqarim të Komunës së Drenasit.

Sinqerisht! Bekim Dobra Zëdhënës i Komunës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme