Osmani: Antisemitizmi dhe çdo formë e diskriminimit përbëjnë sulm kundër dinjitetit njerëzor

Prishtinë | 28 Tet 2020 | 20:05 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit, . Vjosa Osmani, ishte e ftuar në Forumin e parë Ballkanik kundër Antisemitizmit, i cili u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit.

Në këtë forum pjesëmarrës ishin edhe Sekretari i Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yariv Levin si dhe kryetarët e parlamenteve nga vendet e rajonit, ministra, deputetë, përfaqësues të lartë të Kombeve të Bashkuara, si dhe shumë pjesëmarrës të tjerë nga rajoni dhe bota.

Ky aktivitet u organizua online për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kishte për synim krijimin e një fronti të përbashkët të vendeve të Ballkanit për të luftuar antisemitizmin.

Osmani vlerësoi lart punën e organizatorëve, në veçanti angazhimin e Parlamentit të Shqipërisë si nikoqir të këtij forumi.

“Në shekullin 21, nuk ka asnjë justifikim për asnjë formë diskriminimi, për sulme ndaj njerëzve apo njerëzimit, sepse çdo veprim i tillë në vetvete përbën një veprim të drejtuar kundër dinjitetit njerëzor”, ka thënë Osmani.

Duke rikujtuar rolin e shqiptarëve si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo tha se: “Bujaria dhe toleranca fetare janë disa nga tiparet më fisnike të popullit shqiptar. Shqiptarët e kuptuan më së miri dhimbjen, tronditjen dhe vuajtjet e hebrenjve, për shkak të luftës së tyre shekullore për liri dhe paqe”.​

Të ngjashme