Osmani: Jemi pajtuar pjesërisht me propozimin amerikan për dinarin, ka një pikë problematike që shpresoj të zgjidhet në Bruksel

Prishtinë | 18 Mar 2024 | 14:47 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është pajtuar pjesërisht me propozimin amerikan për çështjen e dinarit, mirëpo se është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar, në krye me ShBA- në, pajtohet që të mos ketë qarkullim të dinarit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Siç është shprehur ajo, pjesa për të cilën ende nuk ka pajtim ka të bëjë me ndihmat financiare që vijnë nga Serbia. Ajo ka thënë se është dakorduar që këto ndihma të vijnë në euro, por se duhet një plan i cili parandalon që paratë përfundojnë në duart e atyre që mund t’i përdorin për korrupsion dhe krim të organizuar.

Osmani shtoi tutje se Kosova po punon në planin e saj dhe se shpreson që një marrëveshje rreth kësaj të arrihet nesër në Bruksel.

“Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit, nga ajo që jam informuar dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit. Është shume pozitive që komuniteti ndërkombëtar, në krye me SHBA-në, pajtohen që të mos ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë. Edhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje edhe ato kërkesa dhe ato ndihma financiar që vijnë nga Serbia të arrijnë në euro dhe jo në dinar. Kjo e zgjidhë një pjesë të madhe të problemit. Tash, me ndihmën e SHBA-së kemi arritur që, siç kemi deklaruar edhe me herët, për zbatimin e plotë të Kushtetueses edhe në praktikë na duhen aleatë”, u shpreh Osmani.

Ajo ka shtuar se për pjesën tjetër do të ishte ideale që të kishte pajtueshmëri në midis palëve në Bruksel, në takimin e radhës që pritet të mbahet më 19 mars, në nivel të kryenegociatorëve.

“Pjesa e dytë, të cilën akoma nuk ka pajtim, dhe kam shpresë të plotë që edhe në atë pikë do të arrijmë shpejt, është si duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia të mos shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë të korruptuar dhe i kanë marrë parat kinse në emër të qytetarëve por i kanë shfrytëzuar për korrupsion e krim të organizuar. Edhe për atë pjesë është ende duke u hartuar një plan. Më e mira do të ishte sikur të arrihej në Bruksel, sepse është nesër takimi, do të ishte e mirëseardhur që ky pajtim  të arrihej nesër në Bruksel. Nëse jo në Bruksel, është urgjente që kjo çështje të zgjidhet. Kosova ka problemë shumë më të mëdha, ndër të tjera sigurimi i kufirit nga Serbia, e cila vazhdimisht mendon se si ta sulmojë Kosovën. Duhet të ulemi me aleatë dhe të sigurohemi që të mbrohet çdo pëllëmbë e territorit tonë”, ka thënë ajo.

LEXO edhe:

Të ngjashme