Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ky takim pasqyron jo vetëm trashëgimin tonë të përbashkët, por dhe vendosmërinë e dy vendeve për të krijuar një të ardhme të denjë të mbështetur nga synimet dhe vizioni i popullit tonë, raporton Ekonomia Online.
“Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha dhe përpjekje dhe më të palodhshme. Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri, një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit dhe më lartë Shqipërinë”, tha ajo.
Osmani theksoi se kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë.
“Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tonë brenda familjes së kombeve europiane. Lidhja e thellë është e rrënjosur në histori, në sakrificat e panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur që po ndërtohet dita-ditës”, tha Osmani.
Osmani shtoi se parlamentet kanë një rol vendimtar në avancimin e raporteve dypalëshe.
Po ashtu, presidentja ka uruar Shqipërinë për suksesin e saj në negociatat me BE-në, ndërsa tha se edhe Kosova “si përherë mbetet me përkushtim të palëkundur për anëtarësim në BE”.