Osmani nderon me medaljen “Nderi i Republikës” Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin

Prishtinë | 28 Sht 2021 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar me medaljen “Nderi i Republikës, xhudistet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, ndërsa morri pjesë në inaugurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Osmani gjatë fjalës së saj tha se shteti i Kosovës do t’ju qëndrojë pranë xhudistëve që kanë arritur të fitojnë medalje, duke iu gëzuar faktit se xhudistët shqiptarë janë bërë me shtëpi “të cilën ata e meritojnë”, raporton klankosova.tv

“Nuk ka nder më të madh se sa të lartësosh emrin e flamurit e vendit tonë që vendet tjera nuk i kanë arritur dhe vazhdojnë të ëndërrojnë. Ju keni bërë më shumë se kaq. Fitorja më e madhe e juaja është që keni bërë që emri i Republikës sonë të përmendej e nderohej në vendet që nuk e kanë njohur, që flamuri ynë të valëvitet lart mbi flamujt e vendeve që edhe nuk e njohin Kosovë. Ju e keni bërë këtë, prandaj një komb i tërë ju falënderon”.

“Përveç medaljeve olimpike e medaljeve tjera, xhudistët tanë u bënë me shtëpi të cilën ata e meritojnë. Është foleja ku vajza dhe djem të tërë do të vazhdojnë hapat e kampioneve tona dhe zellin për punë drejt majave të suksesit. Jemi këtu për inaugurimin e kësaj qendre dhe jemi të bindur që do të ktheheni këtu për të ngre dolli për fitoret. Tash ka ardh epoka kur Kosova t’ua kthejë juve vëmendjen dhe respektin, do t’ju qëndrojmë përherë pranë. Ne besojmë në ju, e dimë që ky është vetëm fillimi. Toni faleminderit që besove dhe na bërë neve dhe të gjithëve të besojmë. Ju na nderuat si askush tjetër, e ne do ju nderojmë juve përjetësisht”.

Xhudistet Nora Gjakova, Distria Krasniqi si dhe klubi i xhudos “Ippon” janë nderuar me medaljen “Nderi i Republikës”.

Të ngjashme