Osmani në fjalim në Samitin Global të Grave në Lisbonë: Gratë janë në zemër të shoqërive të barabarta

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 21:33 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka filluar vizitën zyrtare në Portugali. Ajo në fjalimin në Samitin Global të Grave, ka theksuar se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë, në punë dhe në shtëpi. Por, sipas saj, ato nuk ndaluan, vazhduan të zhvillohen dhe të kenë sukses.

“Nuk ka dyshim: gratë janë në zemër të shoqërive të barabarta, të qëndrueshme dhe të begata. Nuk e them këtë me qëllimin për të zvogëluar rolin e burrave – përkundrazi, është një thirrje për të njohur përfundimisht rolin e gruas në komunitetet tona dhe në fusha të ndryshme të jetës. Burrat mund të jenë ata që janë renditur kryesisht si figurat kryesore në librat tanë të historisë, por unë besoj fuqimisht se e ardhmja u përket grave.”, u shpreh Osmani.

Në këtë kontekst, presidentja ka përmendur angazhimin e grave të Krushës, të cilat sipas saj pavarësisht vuajtjeve me të cilat janë përballur, kanë arritur të triumfojnë.

“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik. Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë”.

E para e shtetit gjithashtu ka përmendur filmin “Zgjoi” dhe i ka ftuar pjesëmarrëset ta shikojnë. Në këtë adresim, Osmani, ka vënë theksin edhe në fuqizimin e grave në proceset vendimmarrëse.

Në kuadër të Samiti, i cili sivjet trajton rolin e grave në transformimin e ekonomisë, Presidentja ka takuar edhe përfaqësuese të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.

Të ngjashme