Mesut Ozil thotë se i dhemb vërtet shumë, që Gjermania ra që në pengesën e parë (fazën e grupeve) të Kupës së Botës 2018, duke mos u kualifikuar për në 1/8 finale.
Ndonëse Gjermania mposhti Suedinë, falë një goditjeje të lirë të Toni Kroos, humbjet ndaj Meksikës dhe Koresë së Jugut i panë kampionët e botës në fuqi të përfundonin të fundit në Grupin F.
Gjermania ishte ndër favoritët para turneut, pasi triumfoi në Kupën e Konfederatave të vitit të kaluar, për t’ia shtuar kurorës së kampionit në “Brazil 2014”. Por “Die Mannschaft” nuk arriti ta kalonte raundin e parë të Botërorit për herë të parë që nga viti 1938, duke e lënë Ozilin në rrugën e gabimeve.
Pas humbjes me Korenë e Jugut, trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, këmbënguli se Ozil nuk ishte i vetmi lojtar që prodhoi një performancë të ulët, por kjo nuk i ndali kritikat ndaj mesfushorit të Arsenalit. Duke parë të gjitha kritikat ndaj tij, 29-vjeçari pohon se mund t’i duhet një kohë e mirë që ta harrojë plotësisht fatkeqësinë e Gjermanisë në “Botërorin 2018”.
“Nuk më besohet që jemi larguar nga Kampionati Botëror që në fazën e grupeve. Madje, vendi i fundit në grup na ka lënduar më shumë, – shkruan Ozil në Instagram. – Ne nuk ishim mjaft mirë, do të duhet kohë për ta marrë veten nga ky zhgënjim”. Nën udhëheqjen e trajnerit Low, Gjermania arriti në finalen e “Euro 2008”, në çerekfinale të “Euro 2012” dhe “Botërorit 2010”.