Borja Mayoral ka folur hapur për periudhën kur punoi nën drejtimin e Jose Mourinhos te Roma, duke zbuluar anët pozitive dhe negative të bashkëpunimit me trajnerin portugez, i cili tani është rikthyer në krye të Real Madridit.
Sulmuesi spanjoll vlerësoi stërvitjet shumë konkurruese, por kritikoi vështirësinë e Mourinhos për ta pranuar humbjen, gjë që sipas tij çonte në komente të papërshtatshme në dhomat e zhveshjes.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “MARCA”, Mayoral kujtoi trajnerët me të cilët ka punuar gjatë karrierës. Duke folur për periudhën te Roma, ku zhvilloi 56 ndeshje dhe shënoi 18 gola, ai dha një pasqyrë të sinqertë se si është të punosh me Mourinhon. Edhe pse nuk ishte gjithmonë titullar, Mayoral tha se e shijonte shumë punën e përditshme.
“Mbi të gjitha, stërvitjet. Ishin shumë konkurruese dhe shumë argëtuese. Edhe pse situata ime nuk ishte ideale, më pëlqente shumë të stërvitesha me të,” tha Mayoral, duke shtuar se seancat zakonisht zgjatnin nga 45 minuta deri në një orë, por ishin jashtëzakonisht intensive dhe gjithmonë zhvilloheshin me top.
Megjithatë, bashkëpunimi nuk ishte pa probleme. Mourinho ka një nga karrierat më të suksesshme si trajner, me dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe tituj kampionë në Spanjë, Angli, Itali dhe Portugali. Pikërisht dëshira e tij e madhe për të fituar krijonte shpesh tensione edhe brenda skuadrës.
“Pjesa që më pëlqeu më pak? Ndoshta paaftësia e tij për ta pranuar humbjen. Ai bënte komente në dhomat e zhveshjes që nuk më pëlqenin,” zbuloi Mayoral.
“Jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj shokëve të tjerë të skuadrës. E kuptoj që është një person shumë konkurrues dhe në nxehtësinë e momentit të gjithë mund të themi gjëra, por besoj se respekti për njerëzit duhet të jetë gjithmonë mbi gjithçka.”
Pavarësisht këtyre momenteve të vështira, Mayoral theksoi se Mourinho kishte edhe një anë shumë njerëzore. Sulmuesi, i cili është rritur te akademia e Real Madridit, tregoi se portugezi shpesh bisedonte me lojtarët spanjollë për përvojat e tyre të përbashkëta.
“Me kalimin e kohës, ai madje më befasoi. Nga bisedat që bënim dhe disa gjëra që më tha para disa ndeshjeve, ndjeva se e vlerësonte punën time,” shtoi Mayoral.
“Më kujtohet një rast kur më tha se e meritoja të kisha luajtur shumë më herët, ndërsa edhe në një konferencë për shtyp foli shumë mirë për mua. Këtë e mbaj mend. Ishte një njeri me të cilin mund të komunikoje lehtësisht”, e mbylli ai.