Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka vizituar sot qytetin e Mitrovicës ku është takuar me kryetarin e Komunës nga radhët e AKR-së Agim Bahtiri.
Qëllimi i vizitës së Pacollit, sipas një njoftimi të AKR-së, ishte “rikonfirmimi i mbështetjes së fuqishme për Agim Bahtirin dhe qeverisjen e Aleancës Kosova e Re në Komunën e Mitrovicës edhe për një mandat”.
Lideri i AKR-së ka pohuar se Bahtiri e gëzon përkrahjen e tij të plotë në këtë rrugëtim dhe për të gjitha projektet e përbashkëta që i presin.
“Mitrovica e rikonfirmon Agim Bahtirin si Kryetar. Ai punoi dhe e ndryshoi imazhin e qytetit, ndërsa projekti i tij dhe i Aleancës Kosova e Re për Mitrovicën, do të kurorëzohet me suksese të mëdha”, ka thënë ndër të tjera Pacolli, duke i falënderuar përkrahësit e Aleancës Kosova e Re në Mitrovicë për besimin e tyre në vizionin zhvillimor të AKR-së.
Ndërsa, kryetari i deritanishëm i Komunës, Agim Bahtiri, i cili beson se do të fitojë në balotazhin e 19 nëntorit, i falënderoi të gjithë qytetarët për besimin dhe përkrahjen e tyre edhe përgjatë gjithë mandatit të tij.
Ai shprehu bindjen për fitoren e AKR-së në Mitrovicë si dhe për vazhdimin e realizimit të projekteve të tjera të planifikuara për këtë komunë.