Gjatë sesionit plenar të ministerialit të Grupit të Vishegradit, ku morën pjesë shefat e diplomacisë së Hungarisë, Polonisë, Çekisë, Sllovakisë, plus 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ata të Rumanisë, Kroacisë, Estonisë dhe Bullgarisë si vend President i radhës së Bashkimit Evropian, e mori fjalën dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai, u prezantua si ministri më i ri në detyrë prej homologut të tij hungarez, i cili e uroi për suksese në detyrën e re.
Pas falënderimeve për Hungarinë, si vend organizator dhe mbështetës pa kushte i procesit të zgjerimit, Pacolli, tha: “Ne jemi një shtet i ri, i ndërtuar nga e para, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe miqve tanë të përtej Atlantikut dhe që prej 2008 kur shpallëm pavarësinë, ne kemi miratuar një legjislacion 100% evropian, një kushtetutë model për trajtimin e pakicave, në planin gjuhësor dhe të drejtave në përgjithësi. Ne kemi bërë shumë hapa në drejtim të integrimit evropian dhe ndërkombëtar, me ndihmën e miqve tanë evropianë”.
Duke iu referuar ministrit të jashtëm serb, IvicaDaçiç, i cili u ankua pse në procesin e integrimit të Serbisë, duhet konsideruar dhe „gjykimi i Prishtinës, për ecurinë në këtë proces“, Pacolli, “Ne jemi dy shtete fqinjë, dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Kosova sot është shtet sovran me ligjet e veta, me kushtetutën e vet, që i mbron pakicat, gjuhët e tyre, të drejtat e tyre themelore…Ju në fjalën tuaj ju referuat librit „Ura e Drinit“ të Ivo Andriçit. E kam lexuar disa herë. Ne duhet të ndërtojmë urën midis Serbisë dhe Kosovës në shërbim të brezit tonë të ri, dhe Kosova është e angazhuar për këtë, por ne nuk mund t’i krijojmë pengesa njeri tjetrit, dhe as të mohojmë faktet. Ne në Kosovë jetojmë shumë mirë mes nesh pa krijuar probleme me pakicat, ndonëse jemi njerëz dhe mund të përballemi me çështje të caktuara. Ne duhet të lëmë mënjanë çdo provokim dhe të ndërtojmë të ardhmen si shtete të pavarur në rajon, ku ne kemi shembuj të shkëlqyer bashkëpunimi me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi”
“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi, pavarësisht çështjes së krijuar me demarkacionin.
Demarkacioni nuk është problem mes nesh dhe as nuk duhet të jetë një problem evropian. Ai, duhet të hiqet si kusht për liberalizimin e vizave. Ju e dini se Gjeorgjia dhe Ukraina kanë probleme me kufijtë, por atyre u është njohur liberalizimi i vizave. E kemi të vështirë t’jua tregojmë të rinjve tanë që janë 100% proevropianë se pse këto vende e kanë liberalizimin e vizave dhe ne jo.
Ne nuk duhet të lejojmë që ata mendojnë se Kosova është vrimë e zezë e Evropës dhe duhet të mbetet e izoluar: çdo ditë për një qytetar po bëhet akoma dhe më e vështirë për të marrë vizë, për të lëvizur normalisht dhe kjo s është normale. Nuk është korrekte. Kosova duhet të çlirohet nga ky kusht, problemi i vizave duhet të zgjidhet. Kosova do të bëjë çdo gjë që kjo të ndodhë. Kosova do të bëjë çdo gjë që është e mundur në këtë drejtim që të kemi një Marrëveshje paqeje me Serbinë”
Duke komentuar fjalën e Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, homologu dhe nikoqiri i takimit, PeterSzijarto, tha “Ne si Hungari do punojmë që të përshpejtohet procesi i integrimit, pa kushte që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe”.