Aleanca Kosova e Re (AKR) prezantoi sonte të gjithë kandidatët për kryetar të komunave në zgjedhjet e 22 tetorit. Për herë të parë prej nisjes së fushatës, atyre iu bashkua dhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili qe disa ditë ndodhej në një vizitë në New York.
President i AKR-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Parë dhe ministër i Jashtëm, tha se kandidatët e AKR-së kanë vizion afatgjatë.
“Kandidatët e AKR-së për kryetar janë njerëz vizionarë dhe vizioni i tyre për komunat është më i gjatë sesa mandati që ata garojnë”, u shpreh Pacolli, raporton Ekonomia Online.
“A keni dëgjuar ndonjë nga kandidatët e partive të tjera se kanë vizion 50-vjeçar për komunën e tyre. Ata nuk kanë as vizion 4-vjeçar”.
Sipas tij, zhvillimi i qyteteve të Kosovës duhet të bëhet me vizion, jo me improvizime. “Jam i bindur se këta kandidatë këtu kanë vizion të qartë për mandatin e tyre dhe vizioni i tyre është më i gjatë sesa mandati që ata garojnë”, ka thënë Pacolli.
Ai në fjalimin e tij ka krahasuar AKR-në me Unionin Kristian-Demokrat Gjerman (CDU), që doli fituese në zgjedhjet në Gjermani
“Ju me votën e juaj i shërbeni jo vetëm AKR-së por qytetarëve e fëmijëve tanë. AKR i përket një filozofi liberale. Në Gjermani kemi parë që liberalët janë duke u kthyer fuqishëm, falë transparencës së tyre. Ishte kënaqësi për mu që fati i partisë liberale është i njëjtë me ne”, tha mes tjerash Pacolli
Këta janë disa kandidatë të AKR-së që u prezantuan para të pranishmëve: Nasuf Aliu – Vushtrri, Osman Krasniqi – Prizren, Amir Cana – Kamenicë, Avni Gashi – Klinë, Zuf Ahmeti – Fushë-Kosovë, Amir Rexhepi – Ferizaj, Edmond Dushi – Gjakovë, Shaqir Begaj – Malishevë.
Në këtë tubim nuk merrni pjesë ishin as Selim Pacolli që është kandidat për të parin e Prishtinës e as kandidati për kryetar të Mitrovicës Agim Bahtiri. Prezantuesja tha se kandidati për kryetar të Prishtinës gjendet në terren duke zhvilluar fushatën e tij, ndërsa Bahtiri jashtë vendit për një vizitë familjare.