Kandidati i AKR-së për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi i mbështetur nga Presidenti Behgjet Pacolli, para një numri të madh të qytetarëve në fshatin Tërstenik, ka prezantuar programin e tij për zhvillimin e Drenasit.
Thaçi i falënderoi qytetarët për përkrahjen e madhe dhe ju premtoi atyre se pas fitores së AKR-së, në Drenas do të realizohen edhe shumë projekte të tjera krahas atyre që me ndihmën e Presidentit Pacolli, tashmë kanë filluar të realizohen.
Duke falënderuar elektoratin për përkrahjen ndaj Elmi Thaçit, Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli tha se është i gatshëm që me gjithë potencialin e tij, të krijojë kushte më të mira jetese dhe vende të punës për të rinjtë e Drenasit. Pacolli foli edhe për sakrificat e shumta të prindërve për shkollimin e fëmijëve të tyre, të cilët nuk po arrijnë të punësohen as pas diplomimit.
“Tashmë qytetarët e kanë kuptuar se ka ardhur koha për ndryshim, e ndryshimi vjen me njerëzit që e duan Kosovën, njerëzit që e duan punën. Ne e duam qytetarin, ne e duam Drenasin dhe Elmiu do ta ketë përkrahjen time të plotë për ta krijuar një standard më të mirë për të gjithë ju”, tha ai nder të tjerash.
Në përkrahje të kandidatit të AKR-së për Kryetar të Drenasit, kishte ardhur edhe Kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, i cili tha se asnjë Kryetar i Drenasit deri me tani nuk ka bërë asgjë për rininë. Bahtiri ju bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë AKR-në “Vetëm kështu mund ta mundim të keqën që e ka kapluar këtë vend” tha ai.
Fushata e kandidatit të AKR-së vazhdoi edhe në fshatin Gllobar
Kandidati Thaçi në fjalën e tij para të qytetarëve tha se prania e madhe e njerëzve në tubimet elektorale të AKR-së dëshmon më së miri për besimin dhe përkrahjen që partia e gëzon në Drenas.
Në përkrahje të kandidatit të partisë për Drenasin, Presidenti Pacolli tha se të rinjtë janë ata që e kanë bindur të kthehet dhe të punojë në Kosovë. “Asnjëherë nuk do të mund t`ja kthej shpinën rinisë së mrekullueshme që ka Kosova, kjo rini meriton perspektivë dhe ne do t`ja japim atë”, ka theksuar Pacolli.
I pari i AKR-së më tej ka shtuar se në Kosovë nuk ka investime sepse Investitorët nuk ju besojnë pushtetarëve të cilët kanë dështuar në krijimin e ambientit të sigurt për investime. “Me AKR-në në Qeverisje, investitorët do të vijnë në Kosovë sepse ne garantojmë siguri dhe mbështetje për ata që e ndihmojnë zhvillimin e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Pacolli.