Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është shprehur se partitë politike, pa marrë parayssh blloqet, duhet të bashkohen në mënyrë të krijohet një qeveri gjithëpërfshirësë.
Pacolli ka thënë që intereset personale dhe partiake duhet të lihen anash dhe të mendojnë për interesin e qytetarëve.
Për Pacollin “patriot” nuk ka, përndryshe do të ishte menduar zgjidhja e krizes dhe interesi i qytetarëve.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Po kërkohen patriotët, ata qe e dojnë Kosovën dhe qytetarin e saj!
Për patriotët në rend të parë është Kosova, qytetari, mirëqenia e tij, mirëqenia e familjes dhe fëmijëve të tij.
Për mua, Kosova është dhe mbetet në rend të parë! Gjithçka që kam bërë, gjithçka që kam propozuar në vijimësi, në koherencë, ka qenë në shërbim të Kosovës.
Unë e di pse situata sot është bllokuar. Pse të gjithë në rend të parë po vendosin interesin e tyre personal dhe partiak dhe jo atë të Kosovës. A nuk është rotacioni interesi i Kosovës ? A nuk është interesi i Kosovës bashkimi i të gjitha partive ( pa marrë parasysh blloqet) , sot dhe menjëherë, për të krijuar qeverinë gjithëpërfshirëse, çka unë po e propozoj? Pra, krijimi i një qeverie me bazë të gjerë, ku minoritetet nuk përcaktojnë fatin e shtetit, të ekonomisë, të ushtrisë sonë ?
Qeveria, institucionet duhet të krijohen tani. Menjëherë, mos të përsëritet gjëndja e 2014. Nesër është vonë. Koha nuk pret, shikojeni pak gjëndjen sociale në Kosovë!
A nuk po dëmtohet Kosova, nëse zhagiten proceset si po bëjnë të gjithë? Çdo ditë që kalon, Kosova humb miliona. 138 milion euro të Fondit Monetar Ndërkombëtar u humbën. 112 milionë euro të buxhetit mungojnë, pse parlamenti nuk mblidhet, pse qeveria nuk krijohet. Kush do t’i paguajë pasojat e kësaj ? Politikanët ? Jo, Kosova, qytetari i Kosovës e paguajnë në fund të ditës.
A i kuptojnë këto sende disa të ashtuquajtur opinionistë, që flasin gjuhën e sojit të tyre në disa media, që bëjnë përçarje, që nxisin grindjen e qytetarëve dhe mezi presin të shohin tym dhe flakë këtu në tokën tonë?
Unë shqetësohem për ata që më kanë besuar dhe votuar dhe jam i bindur se seicili prej tyre ndan këtë shqetësim më mua. E për këta individë që ndoshta nuk kanë shkuar as me votuar, kur i dëgjoj ata si i trajtojnë gjërat e vërej qartë se atyre nuk u intereson Kosova dhe mezi presin të shohin skenarë e ndoshta tym e flakë.
Kush mendon se gjithë propozimet e mia për zgjidhjen e shpejtë të krizës, i bëj për interesin tim, gënjen paturpësisht. Interesi im do tê ishte t’i shërbej kompanisë sime me renome që mi ka hapur dyert në botë, duke udhëtuar nëpër botë, apo duke ndejtur pranë familjes sime.
Mua më dhimbset Kosova! Por u them të gjithëve me pozicionimet që po shoh, se Kosova dhe interesi i saj nuk qëndrojnë në rend të parë. Patriotë nuk po shoh.