Pacolli në takimin e Kartës së Adriatikut: Kosova duhet të bëhet anëtare e plotë

New York | 22 Sht 2017 | 21:35 | Nga

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut.

Në adresimin e tij, para homologëve të shteteve anëtare, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, shprehu zotimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe nevojën e angazhimit të përbashkët për një Ballkan Perëndimor më të sigurtë, më stabil dhe më prosperues, duke ri-theksuar se orientimi drejt integrimit në strukturat Evro-Atlantike mbetet shtylla kryesore e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

“Karta e Adriatikut për shumë vite ka qenë një rrëfim suksesi i bashkëpunimit të afërt dhe strategjik në mes rajonit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky mekanizëm shërben si një lidhje e fortë në mes neve dhe NATO-s dhe është plaftormë e dukshme për të siguruar paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perendimor”, citohet të ketë thënë Pacolli, sipas një komunikate shtypi të MPJ-së.

“Ne nuk dëshirojmë që të jemi vetëm vëzhgues në Forume të rëndësishme si ky. Ne e meritojmë që të jemi anëtar. Anëtar, me të drejta të plota. Kjo Kartë nuk do të jetë në gjendje që të përmbush misionin e saj, përderisa Kosova nuk është anëtare dhe politika e derës së hapur e Kartës nuk është një realitet”, ka vazhduar ai.

Në vazhdimin e prezantimit, Pacolli ka thënë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte lajmi më i mirë që rajoni i Ballkanit Perëndimor kishte pranuar për një kohë të gjatë, derisa ka bërë thirrje, që ky proces të vazhdojë edhe me Kosovën, Maqedoninë dhe vendet tjera të rajonit.

Tutje, ai ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë mbi normalizimin e marrëdhënieve, si dy shtete të pavarura dhe njëkohësisht shprehu zotimin se procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës do të bëhet në koordinim me NATO-n dhe vendet partnere.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme