Behgjet Pacolli, president i AKR-së, pasi është mbajtur seanca konstituive në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se mund të ndodhë koalicioni me PAN, raporton Ekonomia Online.
“Koalicioni me PAN-in mund të ndodhë, sepse edhe ata janë njerëz të Kosovës”, tha Pacolli, në një prononcim për medie.
Por, lideri i AKR-së ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë marrëveshje me PAN-in, sikur kanë raportuar disa medie. “Ju garantoj se takimet mes miqve, për një riradhitje të AKR-së nuk kanë ndodhur. Flitet për ndarje postesh. Ju garantoj se asnjëherë nuk ka pasur asnjë takim me dikë nga PAN, ku është folur për ndarje postesh, ndarje detyrash”.
Sipas tij, zgjidhja është që të ulen e të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse, bile për një vit, që të zgjidhen problemet e Kosovës.
“Unë jam në kërkim të patriotëve që të ulen në tryezë e të gjejmë zgjidhje, nuk kërkoj asgjë. Jam njeri i paqes, njeri i zgjidhjes së problemit. Unë nuk mund të garantoj çfarë do të ndodh më vonë. Kosova për mua është në rend të parë”.
Ai i ka bërë thirrje edhe një herë Vetëvendosjes dhe LDK-së të ulen e të bisedojnë. “Shumë kisha dashur që LDK-ja ta formojë qeverinë, por nuk kam parë asnjë shenjë që është e interesuar në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli.
Pacolli ka propozuar të mbahet një tryezë e rrumbullakët që të bisedojnë dhe ta tejkalojnë bllokadën.
“Ose të ketë zgjidhje në koalicionin ku unë gjendem, ose unë të tërhiqem nga politika, ose në fund të fundit t’i jepet krahut PAN të formojë qeverinë”, është shprehur lideri i AKR-së.
“Unë mundohem që kohën time ta shfrytëzoj për vepra. E para, sot, pjesëmarrja në seanca të tilla nuk është për mua, nuk është vendi im sepse foltorja u përdor për fyerje për sharje, u përdor për fushatë”, theksoi kreu i AKR-së.
“Unë i thash Mikullovcit që nuk mund të drejtojë seancën vetëm në anën e partisë që i takon. Nëse niset një diskutim atëherë është dashur t’i jepet fjala edhe LAA-së edhe partive të tjera. Edhe ne kemi diçka për të thënë”, ka thënë Pacolli.