Pacolli: Vonesat në implementimin e obligimeve, po shkaktojnë presion e dëm ndaj Kosovës

Prishtinë | 17 Mar 2024 | 08:45 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës Kosova e Re dhe deputet i kësaj partie, Behgjet Pacolli, konsideron se çdo vonesë në implementimin e Asociacionit është humbje kohe dhe në fund Kosova po detyrohet nga presioni ndërkombëtar të zbatojë obligimet, siç ishte rasti me Manastirin e Deçanit.

Ish-zëvendëskryeministri Pacolli ka thënë për Ekonomia Online se implementimi i obligimeve, e nxjerr Kosovën dinjitetshëm nga dialogu.

“Unë do ta rekomandoja Qeverinë e Kosovës të jetë e kujdesshme, nëse e ka ndërmend të implementojë diçka siç ka ndodhur me Deçanin, ta bëjë atë pa polemika, pa hyrë në situata të palakmueshme, e që e vënë Kosovën në situatë që është tani në relacion me ndërkombëtarët”, deklaroi Pacolli.

“Qeveria duhet ta dijë vetë çka duhet të bëjë dhe nëse është ndonjë obligim që ka ndërmend ta bëjë, ta bëjë menjëherë e jo mbas një shou që po më duket është i panevojshëm. Dhe çdo refuzim i implementimit të Asociacionit, gjithmonë brenda limiteve të Kushtetutës së Kosovës, është një humbje kohe për Kosovën. Dhe po e shihni kur Kosova nuk implementon diçka, atëherë koha zgjatet e presioni gjithmonë është i vazhdueshëm mbi Kosovën dhe krejt ky presion që bëhet mbi një shtet të vogël, në një shtet aq të ndjeshëm si Kosova nuk është mirë”, thotë Pacolli.

Pacolli ka pasur kritika edhe për mundësinë e “fshehjes” së pranimit të Asociacionit nga ana e Qeverisë. Thotë se implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk e pengon pozita, por kritikon veprimet që po i bën kryeministri Kurti. 

“Unë besoj që Qeveria ka vendosur për Asociacionin dhe Qeveria do ta bëjë këtë. Qeveria është, prapë pa kurrfarë nevoje, duke kërkuar si t’ia lë emrin Asociacionin; do të bëhet, Qeveria e di këtë. Dhe është mirë që zotëri Kurti të vijë ta informojë parlamentin për veprimet e tij. Unë nuk besoj që dikush e barrikadon, dikush e pengon zotëri Kurtin në implementimin e marrëveshjeve, gjegjësisht obligimeve që janë aty, mirëpo Kurti barrikadohet dhe kritikohet edhe bojkotohet në Parlament nëse ai pa kurrfarë paralajmërimi pa kurrfarë diskutimi, pa e diskutuar me opozitën ai i bën veprimet, dhe tani vjen edhe arsyetohet”, thotë tutje Kurti.

Ish-zëvendëskryeministri beson se me implementimin e Asociacionit mund të përfundojë saga e dialogut me Serbinë. Shpreh bindjem se implementimi i këtyre obligimeve, e nxjerr Kosovën dinjitetshëm nga Dialogu.

“Unë nuk besoj që tani do të ndodh një ndonjë mrekulli por sigurisht do t’i bëjnë presion Kosovës që të implementojë disa obligime të cilat janë aty si p.sh ajo që ndodhi në Deçan sigurisht edhe për Asociacionin, dhe me implementimin e këtyre obligimeve, do të thotë Kosova është e përgatitur për ta kry edhe dialogun të dinjitetshëm”, u shpreh Pacolli.

Të ngjashme