Paditet policia se s’lejoi mbajtjen e tubimit në kërkesë të drejtësisë për Kujtim Veselin

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 20:06 | Nga Ekonomia Online

Aktivistët e shoqërisë civile kanë paditur Policinë për moslejimin e tubimit me distancë fizike për dorëzimin e peticionit “Drejtësi për Kujtimin”.

Këtë e ka bërë aktivisti Gazmend Qyqalla i përfaqësuar nga avokatja Rina Kika.

Ata thanë se e kanë paditur Policinë e Kosovës për konflikt administrativ në përputhje me nenin 8 të Ligjit për tubime publike.

Ata thanë se kërkesa u refuzua me arsyetimin se ndalohen grumbullimet për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, raporton KOHA.

Sipas avokates Rina Kika, vendimi i Policisë është i paligjshëm, “meqë është diskriminues, nuk përmban arsyetim për shkaqet dhe rrethanat që kanë qenë vendimtare gjatë vlerësimit të lajmërimit të tubimit”.

E aktivisti Gazmend Qyqalla u shpreh se Polica e Kosovës me refuzimin e kërkesës për tubim publik vetëm sa ka dëshmuar neglizhencën e tyre në trajtimin e rastit.

Aktivistët e fushatës “Drejtësi për Kujtimin” dyshojnë se arsyeja e këtij trajtimi diskriminues është dekurajimi dhe frenimi i kritikës së hapur dhe të ashpër ndaj neglizhencës së Policisë, që rezultoi me dhunimin e përsëritur seksual dhe vrasjen e Kujtim Veselit.

Kujtim Veseli u gjet i vdekur më 11 korrik të 2019-s, ndërsa edhe një vit pas vdekjes së tij kryerësit e veprës ende nuk janë vënë para drejtësisë.

Të ngjashme