Pagat e përjetshme të funksionarëve të shtetit

Prishtinë | 06 Jan 2017 | 12:08 | Nga

Jakup Krasniqi ka më shumë se dy vite që nuk është kryetar i Kuvendit, por çdo muaj merr 1 889 euro nga buxheti i shtetit. Kështu do të vazhdojë deri sa të jetë gjallë kryetari i Këshillit Kombëtarë të Nismës për Kosovën ose të punësohet në ndonjë institucion publik.

Si ish-zyrtar i lartë atij dhe  katër udhëheqësve tjerë të shtetit u takon 70 për qind e pagës që kanë pasur nëse vetëm gjashtë muaj kanë qenë në pozitë të lartë shtetërore.

Kjo me ligjin për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, që është në fuqi që nga viti 2008 i garanton edhe kryeministrit aktual të Kosovës, Isa Mustafa që deri në vdekje, pa punuar fare, të marr nga 1,010 euro pagesë mujore.

Me këtë ligj bashkë me kryeparlamentarin dhe kryeministrin, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish Kryeprokurori i Shtetit dhe ish-Kryetari i Gjykatës Supreme, gjatë gjithë jetës së tyre do të përfitojnë 70 për qind të pagës aktuale të funksionit përkatës, asistent të lartë, shofer, truproje, si dhe 1 200 euro në vit shpenzime të komunikimit.

Se ligji është duke u zbatuar e ka konfirmuar për Gazetën Fjala, ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Po është duke u zbatuar ligji dhe unë marr 70 për qind të pagës që më takon”, ka thënë Krasniqi.

Kadri Veseli do të marrë afro 2 000 euro pasi të lë Kuvendin

Bazuar në pagën bazë, të cilën e merr edhe kryeparlamentari i tanishëm, Kadri Veseli, rreth 2,700 euro, pas mandatit në Kuvendin e Kosovës, ai do të paguhet nga shteti 1889 euro, si dhe do të gëzoj privilegjet tjera ligjore.

Edhe kryeprokurori i shtetit Aleksander Lumezi, është njëri nga ata që tërë jetën nuk do të ketë problem të ardhurat financiare.

Nga paga mujore e tanishme që ka, në vlerë 1,323 euro, ai gëzon të drejtë ligjore që të marr 926 euro në muaj, si pjesë e 70 përqindëshit që i takon. Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani do të marr rreth 2000 euro në muaj nëse nuk angazhohet në asnjë post publik.

Gjithashtu edhe kryetari i gjykatës Supreme, të cilit ligji i garanton benificione për tërë jetën, shkruan Gazeta Fjala.

Në nenin 3.3 të këtij ligji tregohet se një përfitim i tillë nuk paguhet nëse ish Zyrtari i Lartë ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti Konsoliduar i Kosovës dhe për të cilin është përcaktuar një pagë e barabartë ose më e lartë se paga që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit në krye të Institucionit Përgjegjës.

Kjo nënkupton se ata mund të përfitojnë 70 për qind të pagës që kanë pasur, edhe nëse angazhohen në ndonjë institucion publikë vetem me pagë më të ultë.

pagat e funksionareve

Deputetëve do t’u rriten mëditjet

Gazeta Fjala ka raportuar se këtë vit, sa herë që deputetët e Kuvendit të Kosovës shkojnë në seancë planifikohet të marrin nga 297 euro, përveç pagës bazë prej 1488 euro, që është shumëfish më e lartë se e shumicës së qytetarëve të Kosovës.

Gazeta Fjala ka siguruar projekt-ligjin për pagat me të cilin Qeveria e Kosovës synon t’ua dyfishojë mëditjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Rritje prej 20 për qind të pagës bazë është propozuar si në rastin e mëditjeve për seanca parlamentare dhe ato për mbledhjet e komisioneve.

Nëse projektligji miratohet në formën aktuale, atëherë një deputetë i Kuvendit të Kosovës do të marrë mëditje 297 euro për pjesëmarrje në seancë parlamentare dhe po kaq për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve.

Llogaritur edhe me pagën bazë prej 1488 euro dhe mesataren prej dy seancave në muaj, me këtë projektligj një deputetë do t’i marr gjithsej 2 mijë e 88 euro në muaj, pa përfshirë këtu kompensimet seancat e jashtëzakonshme dhe ato për mbledhjet e komisioneve parlamentare, me të cilat të hyrat e deputetit mund të kalojnë  deri në 3 mijë euro për muaj.

Kjo është dyfish më shumë sesa shuma që deputetët kanë marrë me vendimin e deritanishëm të Kryesisë së Kuvendit nr. 03-V-243 për kompensime mujore.

Me këtë vendim për një seancë parlamentare një deputetë ka marr mëditje në vlerë prej 120 euro, derisa 80 euro tjera për një mbledhje të komisionit.(Gazeta Fjala)

Të ngjashme