Më pak para për partitë politike në zgjedhje! PD e PS bien dakord në parim

Prishtinë | 06 Shk 2018 | 14:25 | Nga

Përfaqësuesit e PS e PD janë ulur në një tavolinë dhe kanë rënë dakort në parim që të reduktojnë shpenzimet e partive politike për fushatat e ardhshme zgjedhore, përfshi këtu edhe vitet kur nuk ka votime.

Gjatë një konference të posaçme të organizuar nga KQZ, kryetari i saj Klement Zguri deklaroi se cilësia e reformës zgjedhore ka si njërin ndër matësit kryesorë pikërisht transparencën financiare dhe shpenzimet e shumta që shkojnë për fushatat zgjedhore.

“Nuk është gabim të thuash se cilësia e reformës së ardhshme zgjedhore, matësin e suksesit e ka tek transparenca financiare dhe e shpenzimeve të fushatës.

Nga këndvështrimi i KQZ ritheksoj se detyra nuk është e papërballueshme, mjafton të lexojmë me kujdes rekomandimet. Duhet kuadër i ri rregullator, i qartë dhe i harmonizuar, transparencë paraprake e fondeve të fushatës nga partitë, bashkëpunim i plotë i partive me monitoruesit, metodologji moderne monitorimi dhe raportimi në kohë i gjetjeve. Publiku duhet të ketë akses të plotë tek informacioni për financimin përpara dhe pas datës së zgjedhjeve.”-tha Klement Zguri.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PS-së Bledi Çuçi është shprehur se për reformën zgjedhore nuk ka patur një “shpejtësi” veprimi, por të paktën palët janë në një vijë për vazhdimin e takimeve (përmes komisionit të posaçëm) dhe bashkërendimin e punës jo vetëm mes tyre, por edhe me asistencën e ekspertëve të BE-së.

“Edhe pse nuk kemi pasur shpejtësinë e duhur në zbatimin e reformës, jemi duke shkuar drejt një vendimmarrje të qëndrueshme. Të gjitha shqetësimet duhet të marrin një përgjigje sa më të mirë. Jemi në takime intensive me partnerët, që të marrim ekspertët më të mirë në Evropë për çështjet.

Edhe për financimin e partive mendoj se kemi avancuar, por e kemi lidhur këtë ngushtësisht me fushatën. Mendoj që financimi i partive duhet të trajtohet ndryshe. Ka ardhur ndoshta dita që ta shtrojmë dhe të flasim për çështjen e votimit.“-tha Çuçi.

Por Oerd Bylykbashi, bashkëdrejtues i refomës zgjedhore, shton se një problem serioz mbetet paraja e krimit dhe drogës, e cila shpesherë bëhet faktori kryesor e vendimtar në zgjedhjet politike.

“Paraja e paligjshme që është sot e disponueshme në tregun politik shqiptar është e jashtëzakonshme, me një volum gjigand që tashmë ka ndikuar thelbësisht jo vetëm procesin e financimit të partive por dhe rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj na duhet të shohim jo vetëm kush janë nenet specifike të Kodit Zgjedhor  

Do  na duhet të rishohim me kujdes disopozitat penale apo në legjislacion tjetër për të patur një kuadër të integruar në mënyrë që paratë, jo vetëm ato publike, dhe çdo lloj financimi tjetër të jetë i verifikuar dhe të mos jetë financim që përdoret në proces politik për të blerë pushtet.

Cështje thelbësore në këtë aspekt janë: Sa të shëndosha janë burimet e financimit?

Duhet të reduktohen shpenzimet e partive politikë në periudhë zgjedhore dhe jo zgjedhore në mënyrë të atillë që të mos ketë nevojë për shpenzime të kota, apo të krijohen hapësira që në kuadër të shpenzimeve politike të ketë korrupsion në partitë politike. U ndërmorën hapa të rëndësishme para zgjedhjeve, që bënë reduktim të dukshëm të shpenzimeve, madje qenë veprime që më parë dukeshin tabu por funksionuan duke sjellë një përmisim të dukshëm por të pamjaftueshëm.”-tha Bylykbashi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme