Bilall Sherifi është përpjekur të tregohet i sinqertë të mërkurën, në një takim konsultativ në Kuvend, ku përfaqësuesit e koalicionit PAN të cilit ai i takon, edhe zyrtarisht kanë kumtuar se nuk i përmbahen zotimit të javës së shkuar për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës themeltare, që mund të thirrej për të enjten ose të premten e kësaj jave.
Në takim është vendosur që, konform propozimit të ri të PAN-it, vazhdimi i seancës të mbahet të enjten një javë, shkruan sot Koha Ditore.
Deputeti Sherifi bëri përpjekje të arsyetojë para kryesuesit të seancës, Adem Mikullovci, e edhe para përfaqësuesve të subjekteve politike të përfaqësuara në legjislaturën e gjashtë, se pishmanllëku po bëhet nga zori.
“Pse seanca më 24 gusht dhe jo të enjten ose të premten? Ne jemi gati më 24 gusht. Është shumë e thjeshtë!”, ka shtruar pyetjen ai, dhe vetë është përgjigjur. “A e dini çka nënkupton zhagitje e institucioneve? Kur një koalicion i ka numrat dhe me qëllim nuk thërret seancë. Kur një koalicion është gati, i ka fituar 61 deputetë, por nuk thërret seancë. Kjo është zhagitje. Kjo e jona nuk është zhagitje. Kjo e jona është nevojë, domosdoshmëri për kohë më shumë për të krijuar shumicën e nevojshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, sepse ju keni ngulur këmbë që të mos bëheni pjesë formale e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, që është në të drejtën e juaj”, ka shtuar ai.
Në numrin e së mërkurës, gazeta ka raportuar se koalicioni PAN nuk do t’i përmbahet zotimit të dhënë javën e shkuar për pjesëmarrje në seancën konstitutive të Kuvendit, veprim që e kishte kushtëzuar me një takim konsultativ në të cilin do të vendosej që vazhdimi i seancës të organizohej për të enjten ose të premten. Kur kushti i ishte përmbushur, koalicioni kërkoi kohë shtesë. Siç edhe patën paralajmëruar burime të gazetës, përfaqësuesit e të tria partive që përbëjnë koalicionin fitues relativ të zgjedhjeve të parakohshme, në takimin konsultativ kanë kërkuar që vazhdimi i seancës të thirret për javën e ardhshme.