Papunësia në Shqipëri bie në vetëm 13,4 për qind

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 19:05 | Nga

Niveli i papunësisë në Shqipëri vijon të ulet sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri shënoi 13,4%. Norma vjetore e papunësisë ra 0,8 pikë përqindje, ndërsa në tre muaj ulja ishte 0.2 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, shkalla e papunësisë te meshkujt është 13,7% dhe tek femrat është 12,9%.

Një rënie të dukshme në vitin e fundit, ka qenë papunësia te të rinjtë. INSTAT vëren se në një vit, ajo ra 3.5 pikë përqindje duke zbritur në 24,6%.

Për grupmoshën 30-64 vjeç, shkalla e papunësisë është 10,5%. Në terma vjetorë, ky tregues pësoi një rritje të lehtë prej 0,1 pikë përqindje.

Edhe pse në treg nuk ka patur ndonjë zhvillim të theksuar për të ulur papunësinë përmes hapjes së vendeve të reja të punës, niveli aktual i papunësisë është më u ulëti i shënuar në më shumë se 20 vite.

Ulja e papunësisë ka ardhur njëkohësht me rritjen e nivelit të të punësuarve në vend. Sipas INSTAT, shkalla e punësimit për meshkujt është 65,6%, ndërsa për femrat 50,8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për femrat me 1,2 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 34,9%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2017, shkalla e punësimit është 69,4%.

Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2016 në tremujorin e katërt të vitit 2017, është 4,3%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 8,4% në sektorin e shërbimeve dhe 7,3% në sektorin e industrisë. Në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1,5%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme