Paralajmëron Hyseni: Jemi në status-quo, Kosova mund të mbetet si Palestina

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Ish-Koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka thënë se Kosova nuk mund të ecë përpara pa përfunduar dialogun e saj me Serbinë.

Ai ka thënë se sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit janë të lidhura me dialog, teksa ka paralajmëruar se nëse nuk kemi përfundim të dialogut atëherë mund të rrezikojmë të destabilizojmë rajonin.

“Kosova do të vazhdojë të mbesë në status-quo nëse ky kontest historik me Serbinë nuk mbyllet një herë e mirë. Kjo ndikon në përparimin e Kosovës. Anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe mekanizma tjera ku do të duhej të anëtarësohej si shtet i pavarur dhe sovran. Është nevojë akute, jetike për Kosovën që një herë e mirë ta mbyll këtë temë pasi nuk kemi të ardhme pa mbyllur kontestin historik me Serbinë. Për sa kohë mbetemi në gjendje të ngrirë. Edhe Kosova, edhe Serbia dhe cdo shtet i rajonit rrezikojmë të bëhemi rajon i konflikteve sikur Palestina. Tingëllojnë bukur deklaratat politike sikur sundimi i ligjit dhe luftimi korrupsionit, të cilat une i përkrahu fuqishëm. Përsëri po them, zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi krijon kushtet për këto”, ka thënë ai.

Ndryshe, Hyseni ishte koordinator në kohën kur u arrit Marrëveshja e Uashingtonit më 4 shtator 2020, marrëveshje e koncentruar në aspektet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Të ngjashme