Ka filluar punimet në Paris Konferenca Ndërkombëtare e nivelit të lartë “Jo para për terrorin”, me pjesëmarrjen e 80 delegacioneve kryesuar nga ministra të brendshëm, të jashtëm, të drejtësisë, ekspertë me renome botërore si dhe organizatave ndërkombëtare sipas një nisme të presidentit francez Makron.
Në kryesimin e paneleve të ndryshme tematike do të jenë ministra të rëndësishëm francezë si ai i Brendshëm, i Jashtëm, i Drejtësisë, Financës, etj.
Dy ministrat e Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ministri i brendshëm do t’u drejtohen dy paneleve me tema të ndryshme me praninë e homologëve të tyre dhe pjesëmarrësve të tjerë.
Pjesëmarrësve në fund të punimeve do t’i drejtohet dhe Presidenti francez, Emanuel Makron.
Franca, vend i rëndësishëm në Aleancën Botërore kundër terrorit është nga vendet europiane më të prekura nga kërcënimet terroriste dhe kjo Konferencë synon të konsolidojë këtë Aleancë me mjete dhe instrumente të tjera efektive të luftës.
Kosova, që i ka kontribuar Koalicionit Global kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, synon të krijojë mbështetje për kërkesën e saj për anëtarësim në Interpol, dhe të ndërtojë bashkëpunim dhe miqësi të reja në të gjithë anët e globit.
Gjatë qëndrimit në mjediset e konferencës, ministri i jashtëm Pacolli dhe ministri i brendshëm Gashi janë takuar me ministrin e jashtëm të Jemenit, me ministrin e brendshëm të Singaporit, me përfaqësues të lartë diplomatik kinezë, etj. Takimet e delegacionit vazhdojnë.