Partitë politike parlamentare, kryesisht ato më të mëdha, kanë shpeshtuar takimet me elektoratin e tyre ditëve të fundit.
Sipas analistëve, partitë po mundohen të mbajnë elektoratin pranë dhe t’u tregojnë se janë gati për zgjedhje, por sipas tyre këto takime mund të shihen edhe si një fushatë elektorale e heshtur.
Imer Mushkolaj, analist politik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike, që kur kanë përfunduar zgjedhjet nuk janë ndalur me fushata te ndryshme.
“Kohëve të fundit vërehet një dinamikë më e shpeshtë e tubimeve që këto parti i mbajnë. Natyrisht se me të shprehura janë tubimet e partive opozitare. Por, unë përveç si një fushatë ta quajmë më shumë, i shoh edhe si përpjekje për ta mbajtur të zgjuar elektoratin e vet. Po ashtu edhe si një përpjekje për ta mbuluar paaftësinë e tyre të veprimit opozitar. Kështu që me këto tubime, këto parti opozitare po përpiqen që elektoratit të vet t’i thonë se “jemi këtu dhe po planifikojmë të organizojmë diçka”, tha Mushkolaj.
Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë thonë se aktivitetet e tyre në javët të fundit, nuk kanë të bëjnë me natyrën e ndonjë fushate zgjedhore, por me aktivitetet e brendshme të partive politike.
Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se partia e tyre, qe një vit ka hyrë në proces zgjedhor dhe veprimet e tyre nuk kanë të bëjnë më fushata zgjedhore.
“Krejt ajo çka është duke ndodhur është në kuadër të atij procesi që është legjitim dhe i paralajmëruar shumë më herët. Normal që partitë e opozitës kanë më shumë premisa të asaj që mund të quhet dëshirë dhe vullnet për zgjedhje të reja, ndërsa për PDK-në është proces i zakonshëm”, tha Reçica.
Kurse, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës thonë në vazhdimësi se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet dhe sipas tyre vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.
“Dëshmia më e qartë e mungesës së legjitimitetit shihet në Kuvend, ku pikat e papërfunduara sillen nga një seancë në tjetrën nga qershori i vitit të kaluar. Ata që në zgjedhje të lira fitojnë besimin e qytetarëve për të udhëhequr me Kosovën, të njëjtit duhet ta përfaqësojnë Kosovën në dialogun me Serbinë”, ka shkruar në Facebook, shefi u Grupit i parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është duke zhvilluar zgjedhjet e brendshme në të gjitha degët e saj.
Ndërsa, Fitore Pacolli, deputete nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, tubimet e ndryshme me qytetarë në komuna të Kosovës i arsyeton, siç thotë ajo, për t’u mbrojtur shteti nga vjedhjet dhe korrupsioni që po i bëhen vendit nga partitë në pushtet.
“Nuk është fushatë e heshtur është një cikël i takimeve me qytetarë ku ne ftojmë qytetarët bashkë më shoqërinë civile që t’i japim fund PAN hajnisë. Kjo qeveri e cila udhëhiqet nga një grup i partive politike, të cilat vjedhin shtetin, të ardhurat e qytetarëve të Kosovës duhet të shkojë sa më shpejt që është e mundur. Pra nuk është fushatë zgjedhore por është një fushatë goxha e zëshme kundër PAN hajnisë”, tha Pacolli.
Ajo tha se Vetëvendosje është e gatshme që tani për një proces të ri zgjedhor.
“Sa më larg që shtyhet ky proces aq më keq do të jetë për Kosovën”, tha Pacolli.
Ndryshe, buxheti i Kosovës u ndanë më shumë se 4 milionë euro në vit partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.
Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në të shumtën e rasteve këto burime janë nga disa kompani private, të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publikë nga partia që e fiton pushtetin. /REL