Pas deklaratës së Putinit për Kosovën, mediet e afërta me Vuçiqin e sulmojnë atë

Prishtinë | 28 Pri 2022 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

“Putini njeh Kosovën”, “Putini për shkak luftës së tij, i harron serbët dhe Kosovën”, “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”, “Putin po luan me Kosovën” dhe “Putini e godet Serbinë me thikë pas shpine”, janë disa nga titujt që mediet e afërta me regjimin në Serbi kanë reaguar lidhur me deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin rreth Kosovës.

Putin gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres e ka përdorur edhe një herë pavarësinë e Kosovës duke tentuar të arsyetojë pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014 dhe ndërhyrjen në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, shkruan Telegrafi.

“Unë e mbaj mend mirë dokumentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosovës. E kujtoj mirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, i cili thotë se, ‘zbatimi i të drejtës për vetëvendosje për territorin e secilit vend dhe nuk duhet të kërkojë leje për ta deklaruar sovranitetin nga ai vend’. Kjo është e shkruar në relacion me Kosovën dhe ky vendim është përkrahur nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë Republika e Donbasit dhe ajo e Doneskut kanë të njëjtat të drejta duke mos zbatuar autoritetin qendror në Kiev për ta deklaruar sovranitetin, pasi që precedenti ekziston”, ka thënë Putin gjatë këtij takimi.

Sipas analistit boshnjak, Jasmin Mujanoviq mediet pro-regjimit të Aleksandar Vuciqit në Serbi janë zemëruar me tradhtinë e Moskës.

“Mediet pro-regjimit në Serbi – të cilat kanë kaluar pjesën më të madhe të dekadës së fundit duke pasur një marrëdhënie erotike me Kremlinin – janë të zemëruara për ‘tradhtinë’ e Moskës ndaj Serbisë, duke pretenduar se ai është gati të njohë Kosovën në këmbim të një zgjidhjeje, me Ukrainën. E çuditshme”, ka shkruar Mujanoviq në Twitter.

Ndryshe për këtë kanë shkruar edhe mediet në Kroaci. Index.hr thekson se tabloidet e Vuqiqit godasin Putinin.

Kjo nuk është hera e parë që Kremlini përdor çështjen e pavarësisë së Kosovës si pretekst për veprimet e tij agresive, fillimisht në Krime, e pastaj në tërë Ukrainën.

Në anën tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë kanë thënë se, Rusia dhe Putini janë kërcënim serioz për destabilizimin e Ballkanit, në veçanti Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, duke përdorur Serbinë si shtet që i kontribuon prishjen e paqes në rajon. 

Të ngjashme