PD: Marrëveshja e demarkacionit duhet të kthehet në Kuvend

Prishtinë | 02 Sht 2016 | 16:44 | Nga

Partia e Drejtësisë (PD) vlerëson tërheqjen nga procedura parlamentare e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, si veprim të arsyeshëm të kryeministrit të vendit në funksion të arritjes së shkallës më të madhe të mundshme të konsensusit nacional politik përkitazi me këtë çështje me rëndësi të madhe shtetërore.

Partia e Drejtësisë thotë se në vazhdimësi ka insistuar në deklaratat e saj politike për arritjen e konsensusit kur janë në pyetje interesat strategjike të vendit.

Por, ky subjekt politik vazhdon të konsiderojë se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit duhet të ndodhë në Kuvendin e Kosovës. PD fton gjithë spektrin politik të vendit, që në këtë periudhë të ndasive të rrezikshme që po e kërcënojnë çdo ditë e më shumë edhe sigurinë e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit, të qëndrojë i bashkuar duke tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe duke kontribuar fuqimisht për realizimin e interesave madhore të shtetndërtimit dhe integrimeve euro-perëndimore të vendit.

“Seanca e parlamentare e 1 shtatorit demonstroi në mënyrën më të qartë se ajo që më së shumti kundërshton shënimin e kufirit ndërkombëtar të Kosovës me Malin e Zi është Serbia. Sikur të ekzistonte konsensusi kombëtar për ratifikimin e Marrëveshjes ashtu siç ekziston konsensusi i partnerëve strategjikë ndërkombëtarë përkitazi me këtë çështje atëherë ndikimi i politikës së Serbisë në proceset e shtetndërtimit të vendit do të pamundësohej. Është interes i vendit tonë që sa më pare të definojë dhe aprovojë kufijtë me të gjithë fqinjët”, theksohet në komunikatën e partisë së Ferid Aganit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme