Partia Demokratike e Kosovës, dega në Mitrovicë, ka kritikuar ashpër kryetarin e kësaj komune, Agim Bahtiri, për situatën e fundit të krijuar pas fillimit të ndërtimit të murit nga serbët.
Në komunikatën e dërguar për media, PDK shpreh indinjatën siç thotë, për qasjen e kryetarit Bahtiri ndaj problemit të veriut, i cili në vend se ta lehtësojë vazhdon ta rëndojë situatën me deklarata të papërgjegjshme.
Kjo është komunikata e plotë e PDK-së në Mitrovicë:
Agim Bahtiri po e drejton Mitrovicën drejt humnerës
Të nderuar përfaqësues të mediave, fillimisht na lejoni t’ju falenderojmë që ju keni përgjigjur ftesës sonë për këtë konferencë me gazetarë.
Jemi dëshmitar të zhvillimeve dramatike në Mitrovicë ditëve të fundit. Kulminacioni ka arritur me fillimin e ndërtimit të një muri në afërsi të Urës së Ibrit, duke bërë që jo vetëm qytetarët mitrovicas, por edhe ata gjithë andej vendit të jenë të shqetësuar për atë që po ndodh.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë poashtu shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar, që kërkon përgjigje të shpejtë të insitucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Poashtu shprehim indinjatën tonë për qasjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, ndaj problemit të veriut, i cili në vend se ta lehtësoj vazhdon ta rëndoj situatën me deklarata të papërgjegjshme.
Përpjekjet e tij për të përfituar politikisht nga zhvillimet në veri, e kanë rënduar së tepërmi gjendjen atje. Klima që ka krijuar ai me politikën e tij të papjekur i ka dëmtuar më së tepërmi banorët shqiptarë të veriut. Sa herë ka zhvillime pozitive vrapon të merr kurorën e lavdisë, ndërsa kur ka telashe justifikohet me nivelin e ultë të përgjegjësisë.
Ne kemi tërhequr vëmendjen shumë herët se Agim Bahtiri do ta thelloj situatën, meqë ai nuk e ka ndjenjën më të vogël të përgjegjësisë. Ai ka marrë mbi supe pesha që nuk i bartë dot, duke dhënë premtime që nuk i realizon. Krejt çka ka bërë ai është hapja e problemeve, me të cilat mandej duhet të merren të tjerët.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, kërkon nga Agim Bahtiri, që të mos krijoj huti për atë që po ndodh në Mitrovicë, meqë po krijon një situatë që ai nuk mund ta kontrolloj. Papërgjegjësia e tij po e rrezikon jo vetëm Mitrovicën, por gjithë vendin. Si rrjedhojë insitucionet qendrore dhe ato ndërkombëtare duhet të reagojnë dhe ta qartësojnë këtë situatë, meqë ky njeri është duke e drejtuar Mitrovicën drejt humnerës.