PDK bën homazhe në nderim të Flora Brovinës

Prishtinë | 18 Sht 2026 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në krye me kryetarin Bedri Hamza, ka bërë homazhe në Kuvendin e Kosovës në nderim të jetës dhe veprës së ish-deputetes dhe veprimtares, Flora Brovina, raporton Ekonomia Online.

Flora Brovina ka ndërruar jetë më 15 shtator, në moshën 76-vjeçare.

Brovina ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Ajo u lind në vitin 1949 në Skenderaj dhe u rrit në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor, ndërsa më pas studioi mjekësinë. Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, Brovina u kthye në Kosovë.

Për një periudhë punoi si gazetare në gazetën “Rilindja”, ndërsa më vonë iu rikthye profesionit të mjekes. Për shumë vite shërbeu në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Krahas profesionit të saj, Brovina ishte e angazhuar edhe në letërsi dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave.

Në skenën politike të Kosovës, ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për gjashtë mandate, nga viti 2001 deri në vitin 2019.

Me veprimtarinë e saj në mjekësi, politikë dhe angazhimin shoqëror, Flora Brovina mbetet një nga figurat e njohura të jetës publike të Kosovës.

Të ngjashme