PDK dega Fushë-Kosovë: Komuna nuk informon për rastet me COVID-19 në shkolla

Fushë-Kosovë | 09 Tet 2020 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës dega në Fushë-Kosovë, ka kritikuar komunën për fshehje të rasteve me COVID-19 nëpër shkolla.

Sipas një komunikate për medie, PDK thotë se deri më tani 13 mësimdhënës të Fushë-Kosovës kanë rezultuar të infektuar me Covid 19, ku sipas tyre nuk ka asnjë reagim apo njoftim nga komuna për asnjërin prej këtyre rasteve apo për gjendjen në shkolla pas fillimit të procesit mësimor.

“Deri më tani trembëdhjetë mësimdhënës të Fushë Kosovës kanë rezultuar të infektuar me Covid 19, ndërsa nuk ka asnjë reagim apo njoftim nga komuna për asnjërin prej këtyre rasteve apo për gjendjen në shkolla pas fillimit të procesit mësimor. Edhe më tej qytetarët nuk e dinë se si po menaxhohet situata, se si do të vijojë procesi i mësimit dhe si është duke u bërë zëvendësimi i atyre mësimdhënësve, apo se cilat masa duhet të merren në shkollat ku janë evidentuar rastet me Covid”, thuhet në komunikatë.

PDK në këtë komunë thekson se ka mungesë të transparencës dhe keqpërdorime të shumta.

“Me kësi mungese të transparencës Komuna e Fushë Kosovës ka udhëhequr dhe që kur e kanë pushtetin, kanë fshehur keqpërdorimet, qeverisjen e keqe dhe pasurimin e drejtorëve- shokëve të kryetarit të komunës, pa dhënë llogari para qytetarëve. Pas hapjes së shkollave natyrshëm se rritet rreziku nga infeksionet dhe në këtë situatë është e papranueshme të mos dilet me një njoftim, të tregohet nëse është duke u vëzhguar gjendja, por të injorohet me kaq papërgjegjësi dhe me kaq shpërfillje. Drejtori i dështuar i Arsimit , Islam Shabani, me gjasë nuk është i informuar çka është duke ndodhur, por duhet të kërkojë nga shefat e tij që të sqarojnë situatën”, përfundon komunikata.

Të ngjashme