Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, ka akuzuar qeverisjen e LDK-së për punësime familjare dhe të militantëve partiak.
Sipas komunikatës së PDK-së, kjo gjë po bëhet me bekimin e kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Kjo dukuri vazhdon të jetë evidente në të gjitha segmentet qeverisës, varësisht nga mundësia e hapjes së vendeve të punës. Pas arsimit, dhe të ndonjë segmenti tjetër si absorbues të numrit të madh të punëtorëve, QKMF veçohet për punësime të tilla, keqpërdorime dhe për anomali të shumta prej kur LDK e ka pushtetin”, thuhet në komunikatë.
Sipas PDK-së,në konkursin e fundit, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), drejtori i pushtetshëm i LDK-së, në QKMF, këtë fund-mandat, po e shfrytëzon për t’i rehatuar njerëzit e vet.
Me këtë rast, tre punëtorë i ka punësuar në shërbimin teknik, dy prej tyre militant të LDK-së ndërsa tjetri është nip i tij (djali i vëllait).
“Duke i parë të gjitha këto marrëzi të pushtetit, fund e krye të dështuar, qytetarët gjilanas, me padurim po e presin fundit e kësaj qeverisje, në zgjedhjet e 22 tetorit të këtij viti”, thuhet në komuniktatën e PDK-së.