Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar publikimin e plotë të tenderit të blerjes së autobusëve nga kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.
Triumf Sadikaj anëtar i kryesisë së degës në Prishtinës tha se Dega e PDK-së në Prishtinë i është drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik rreth dy çështjeve, tenderëve të komunës së Prishtinës për blerjen e autobusëve.
Sipas tij nënkryetari i komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu ka bërë shkelje të legjislacionit si dhe është bërë përzgjedhja e kompanisë e cila është më e shtrenjtë.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu ka kryesuar komisionin për hapje dhe vlerësim të këtij tenderi që është shkelje e rëndë e legjislacionit që rregullon prokurimi publik dhe përzgjedhja e një kompanie e cila është 1.1 milion eurove më e shtrenjtë se sa kompania e lirë”.
Dega e PDK-së e cilëson si të dëmshme vendimin për blerjen e autobusëve sepse sipas tyre ky vendim e dëmton buxhetin e komunës së Prishtinës dhe është keqpërdorim i taksave të qytetarëve të Prishtinës.
Marrja e tenderit nga kompania Çeke “IVECO” nuk ka transparence andaj kërkojmë nga kryetari Shpend Ahmeti që të bëjë publikimin e kontratës ka theksuar Sadikaj.
PDK e quajti projektin e autobusëve marketing të Shpend Ahmetit ku këta autobusë do të jenë një dështim.
“Ky është marketing i kryetarit Shpend Ahmeti, këta autobusë do të jenë një dështim i Shpendit, prapseprap nuk do të ketë trafik urban pas orës 20:00”.
Ata kritikuan kryetarin edhe për shtrenjtimin e biletave të autobusëve ku theksuan se nuk pajtohen me shtrenjtimin e biletës së autobusëve për qytetarët.